Enigma e parë u zbulua, Kylian Mbappe do të largohet nga PSG në fund të këtij sezoni, me sulmuesin francez që njoftoi zyrtarisht drejtuesit e klubit. Tani, pikëpyetja e radhës është se kush do të zëvendësojë Mbappe? Me largimin e “gjelit”, sheiku Al Khelaifi kursen miliona euro, kjo është ana pozitive, kursen 130 milionë euro që do t’i shkonin direkte Mbappes si bonus mirënjohje, gjithashtu kursen edhe pagën marramendëse që ishte rezervuar për të, 72 milionë euro në vit. Bosi i klubit francez është i lirë të studiojë tregun për të gjetur një zëvendësues për Mbappe.
Emrat nuk mungojnë, por të gjithë luajnë në Serie A. Në tavolinën e tij tre janë emra kryesorë, Rafa Leao, Victor Osimhen dhe Lautaro Martinez. E sigurt është se kushdo që do të largohet, Milan, Napoli dhe Inter do të mbushin arkat pasi të tre lojtarët janë nën kontratë me klubet respektive.
Leao ka një klauzolë largimi prej 175 milionë euro, Osimhen 130 milionë euro, po ashtu edhe Martinez, lojtar të cilin Inter nuk lë të lirë pa të paktën 100 milionë euro. E sigurt është që në fund të këtij sezoni Osimhen do të largohet nga Napoli, por sulmuesi nigerian ka shprehur dëshirën e tij për të vijuar karrierën në Premier League.
Leao është prej kohësh në orbitën e PSG, por lojtari duket i lumtur në Milano, fakt që e ka shprehur në më shumë se një herë.
Në pozitë të ngjashme është edhe Martinez, por negociatat për rinovimin e kontratës kanë ngecur për momentin pasi përfaqësuesin e kapitenit zikaltër kërkojnë një rritje të ndjeshme të pagës, nga 6 milionë euro në 10 milionë euro në sezon. Sa i përket PSG, sheiku Al Khelaifi është gati t’i plotësojë çdo kërkesë tre lojtarëve të sipërpërmendur.
()