Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Dibran Hoxhës dhe katër të akuzuarve të tjerë lidhur me rastin e vrasjes së të riut nga Kukësi, më 3 janar 2023, në lokalin ‘Kobra City’ në Prizren. Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vrarë Visar Cengu
Hoxha akuzohet për dy vepra penale, ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Kurse, Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për veprën ‘Manipulimi me prova’. Ndërkaq, të akuzuarit Roland Susuri, Jesmir Badalli dhe Arben Vezaj, akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në rrahje’’ .
Po ashtu, Susuri dhe Badalli akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Ndryshe, sipas Prokurorisë, “për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”.