BERZH: Emigracioni i lartë po nxitet nga qeverisja e keqe, Shqipëria mban rekord

Emigracioni në vendet e Ballkanit Perëndimor është në nivele të larta, por Shqipëria spikat për fluksin e madh të të larguarve në raport me popullsinë. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një analizë që publikoi së fundmi se si mund të konvergojë Ballkani Perëndimor drejt standardeve të jetesës në BE vuri në dukje se emigracioni i lartë ka si shtysë kryesore qeverisjen e keqe.

BERZH referon se sipas sondazhit të fundit të Gallup, Shqipëria ishte ndër 10 vendet e para në botë ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit gjatë 2018-2021. “Qeverisja e dobët është një shtytës kryesor i emigrimit. Përvoja aktuale dhe e kaluar e emigracionit në Ballkanin Perëndimor ka treguar se korrupsioni ose paqëndrueshmëria politike është arsyeja më e rëndësishme për emigracionin”, vë në dukje analiza e BERZH.

Nga 13 arsyet e ofruara për emigracionin, 66.7 për qind e të anketuarve në Ballkan vlerësuan korrupsionin ose paqëndrueshmërinë politike në vendin e tyre si shumë të rëndësishëm, ndërsa 19.2 për qind e konsideruan të rëndësishëm. Përqindja e të anketuarve që kanë zgjedhur këto dy opsione është më e lartë në mesin e atyre që emigruan në pesë vitet e fundit sesa ata që emigruan më herët. Mundësi më të mira punësimi renditen si arsyeja e dytë më e rëndësishme e emigrimit, e ndjekur nga pagat më të larta.

Rezultate të ngjashme dalin nga një studim i fundit i Këshillit Fiskal të Serbisë. Hulumtimi i tyre tregon se përmirësimi i institucioneve, duke përfshirë uljen e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit, dhe avancimin e cilësisë së shërbimeve publike si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, mund të ulë nivelin e emigrimit në vendet e Evropës Perëndimore me 10-15 për qind, shumë më tepër se ndikimi i rritjes së nivelit të pagës mesatare.

BERZH vë në dukje se, grupi i ardhshëm i ekspertëve dhe profesionistëve në Ballkan dhe Shqipëri mund të kufizohet nga rënia e vazhdueshme e popullsisë për shkak të tendencave negative demografike veçanërisht, pasi një pjesë më e madhe e atyre me aftësi dixhitale kanë më shumë gjasa të emigrojnë.

Ka tashmë shumë të dhëna nga të gjithë rajonet e BERZH-it, përfshirë Ballkanin Perëndimor, për të sugjeruar se punëtorët me aftësi shumë të kërkuara, si TIK, po migrojnë drejt ekonomive të përparuara me një nivel më të lartë page.

Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit po bëhet gjithnjë e më akute dhe duhet të adresohet me praktika gjithëpërfshirëse të punësimit që rrisin nivelet e pjesëmarrjes dhe aftësitë e grupeve të nën-përfaqësuara (për shembull, të rinjtë, gratë dhe pakicat), si dhe duke rritur formalizimin e punësimit sugjeron BERZH. Pagat po rriten me shpejtësi në sektorin e TIK-ut (midis 5 dhe 10 për qind në vit nga 2012 – 2020 kundrejt më pak se 1 për qind në BE-27), duke ulur konkurrencën e pagave në Ballkanin Perëndimor./Monitor

Arena e Lajmit

BERZH: Emigracioni i lartë po nxitet nga qeverisja e keqe, Shqipëria mban rekord

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook