TIRANË – Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetaren Ina Qirjo në News24, duke folur për lëvizjen e re politike, që planifikon të krijojë, deklaroi se me mijëra njerëz nuk duan që të udhëhiqen nga “shefat e vjetër”, siç quajti Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Shehi theksoi se lëvizja e re politike që ai do të drejtojë, do të krijohet pas zgjedhjeve dhe shtoi se do të sjellë risi.
“Unë dua të ndërtohet një tjetër front opozitar, që ta luftojë fort Ramën. Njerëzit që nuk besojnë tek Berisha dhe Basha të kenë alternativë politike. Këto zotërinj nuk mund të vazhdojnë të jenë gjithmonë aty. Fronti i ri opozitar do të krijohet pas zgjedhjeve. Jo para zgjedhjeve, sepse para zgjedhjeve i bie që marrim mëkatet e Berishës dhe Bashës. Elektorati që nuk beson tek shefat e vjetër, mund të vijë tek ne. Është krijuar bindja se nëse nuk je me ne, je kundër nesh. Kjo nuk shkon. Unë personalisht nuk e kam qejf fjalën parti, që ishte sistem dhune, që vetëm shtypte, prandaj i them kësaj që po krijojmë lëvizje. Kemi mendime të ndryshme me Berishën dhe Bashën. Ne po ia mbyllim njëri-tjetrin gojën në parlament. Edi Rama ka kaluar çfarë do lloj ligji ka pasur qejf. Ne duam që të hyjmë në parlament, të merremi me reformën zgjedhore. Duhet të krijojmë raporte me ndërkombëtarët, pa të cilët ne nuk ia dalim dot. Pse nuk jam pjesë e Federatës së Opozitës? Sepse nuk jam pro të gjitha pikave të Federatës. Politika nuk është të luftojmë atë që na ka rënë në shpinë neve, por të shhim se çfarë ka në shpinë Shqipëria”, tha Shehi.
Në lidhje me protestën e opozitës më 20 shkurt, Shehi deklaroi se ajo ishte pozitive. Sipas Shehit, forca e protestës tregoi se protestuesit në shesh nuk kishin dalë për asnjë lider, por se janë bërë bashkë kundër keqqeverisjes së Ramës.
“Protesta tregoi se qytetarët e Shqipërisë nuk e duan qeverisjen, shumica janë mbledhur se nuk duan Edi Ramën. Është pozitive si demonstratë, tregon se populli opozitar është aty. E dyta që tregoi protesta ishte se Sali Berisha do që të ofrohet si kryeministër, pasi ai foli më së shumti. E treta, protesta tregoi se grupi i Bardhit është me grupin e Berishës. Grupi i Berishës është më i madh, ndërsa grupi i Bashës është më i vogël. Ne duam që Shqipëria të bëhet me 3-4 zona elektorale dhe jo me një zonë. Të dalin fytyra të reja, intelektualët, biznesmenët, me mijëra njerëz që do të angazhohen për ta mundur Edi Ramën. Për sa kohë janë këta individë që janë në politikë, nuk do të ketë ndryshim, sepse nuk mund të presim rezultate ndryshe nga të njëjtët persona. Por, sidoqoftë, mendoj që Berisha nuk duhet të mbajtur në arrest shtëpie. E mbajnë në arrest shtëpie, për ca çështje administrative. Nëse duam të jemi alternativë, duhet të ofrojmë diçka tjetër. Lufta duhet bërë me Ramën, jo me njëri-tjetrin”, u shpreh Shehi.
()