Hemoglobina është një proteinë që gjendet në qelizat e kuqe të gjakut. Këto qeliza janë përgjegjëse për transportimin e oksigjenit nëpër trup.
Por jo vetëm kaq! Hemoglobina ndihmon trupin që të kryejë funksione të ndryshme. Në rastet kur nivelet e hemoglobinës janë të ulta atëhere edhe trupi juaj mund të vuajë në mënyra të ndryshme.
Ushqimi dhe suplementet mund të ndihmojnë në rritjen e niveleve të hemoglobinës. AgroWeb.org ju njeh me to më poshtë si edhe me disa këshilla mjaft të vlefshme për kujdesin që duhet të tregoni.
Konsumoni më tepër produkte të pasura me hekur
Një person me nivele të reduktuara të hemoglobinës mund të përfitojë nga konsumi i ushqimeve të pasura me hekur. Hekuri punon për të rritur prodhimin e hemoglobinës, e cila gjithashtu ndihmon në formimin e më shumë qelizave të kuqe të gjakut.
Ushqimet e pasura me hekur janë:
- mishi dhe peshku
- vezët
- frutat e thata
- brokoli
- perimet me gjethe jeshile
- bishtajat
- arrorët dhe farat
- gjalpi i kikirikut
Risni konsumin e ushqimeve të pasura me folat
Folati është një lloj vitamine B që luan një rol thelbësor në prodhimin e hemoglobinës. Nëse një person nuk merr mjaftueshëm folate, qelizat e kuqe të gjakut nuk do të jenë në gjendje të prodhohen, gjë që mund të çojë në ulje të nivele të hemoglobinës.
Burimet e mira të folatit përfshijnë:
- Mishin e viçit
- spinaqin
- orizin
- kikirikët
- bizelet
- fasulet
- avokadot
- marulet
- Ju mund të blini edhe suplemente folati.
Ndihmoni trupin të përthithë sa më mirë hekurin
Ushqimet e pasura me vitaminë C, të tilla si agrumet, luleshtrydhet dhe perimet me gjethe jeshile, mund të rrisin aftësinë e trupit për të përthithur hekurin. Vitamina A dhe beta-karotina mund të ndihmojnë trupin në thithjen dhe përdorimin e hekurit.
Ushqimet e pasura me vitaminë A përfshijnë:
- peshkun
- mëlçitë
- kungullin
- patatet e ëmbëla
- lakra jeshile
- Ushqimet me përmbajtje të lartë beta-karoteni përfshijnë frutat dhe perimet e verdha, të kuqet dhe ato në ngjyrë portokalli, të tilla si:
- karotat
- patatet e ëmbëla
- kungulli
- pjepri
- mango
Nëse zgjidhni të merrni suplemente të vitaminës A duhet të tregoni kujdes me sasinë sepse mund të jetë e rrezikshme.
Ajo mund të shkaktojë simptoma të tilla si dhimbje kockash dhe kyçesh, dhimbje të forta koke dhe rritje të presionit brenda trurit.
Merrni suplemente hekuri
Një mjek mund të këshillojë një person me nivele jashtëzakonisht të ulëta të hemoglobinës që të marrë suplemente hekuri. Doza do të varet nga gjendja e personit. Është e rëndësishme të theksohet se marrja e sasive të larta të hekurit mund të jetë e rrezikshme.
Cilat janë nivelet normale të hemoglobinës?
Një mjek do të kontrollojë për nivelet e hemoglobinës me anën e një testi gjaku.
Hemoglobina e ulët diagnostikohet kur një mashkull ka më pak se 13,5 gram për decilitër (g/dL) hemoglobinë në gjak, ose kur një grua ka më pak se 12 g/dL.
Një person mund të ketë një nivel të ulët të hemoglobinës për një sërë arsyesh, duke përfshirë:
- aneminë nga mungesa e hekurit
- shtatzëninë
- probleme me mëlçinë ose veshkat
- semundje kronike
Gjithashtu është e mundur që nivelet e hemoglobinës të reduktohen në mënyrë natyrale pa ndonjë shkak të rëndësishëm. Disa mund të kenë hemoglobinë të ulët dhe të mos kenë simptoma
Ndërsa tek fëmijët, nivelet e duhura të hemoglobinës ndryshojnë në varësi të moshës. Kushdo që shqetësohet për nivelet e hemoglobinës së një fëmije duhet të flasë me një mjek.
Njerëzit me nivele shumë të ulëta të hemoglobinës mund të kenë nevojë për trajtim shtesë nëse marrja e suplementeve dhe ndryshimi i dietës nuk tregojnë rezultate të mjaftueshme.
Simptomat e niveleve jashtëzakonisht të ulëta të hemoglobinës
Simptomat mund të jenë:
- rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës
- lëkurë të zbehtë
- lodhje
- dobësi e muskujve
- mavijosje të shpeshta ose të pashpjegueshme
- dhimbje koke të përsëritura
Shkaqet e hemoglobinës së ulët
Një person me hemoglobinë të ulët mund të ketë anemi. Shkaqet e zakonshme të anemisë përfshijnë:
- mungesë të hekurit, vitaminës B-12 ose folatit
- humbje të konsiderueshme të gjakut
- kancere që prekin palcën e eshtrave, si leucemia
- sëmundje të veshkave
- sëmundje të mëlçisë
- hipotiroidizmi, ose një gjëndër tiroide që nuk prodhon mjaftueshëm hormone
- talasemia, një sëmundje te trashëgueshme që pengon funksionimin e duhur të hemoglobinës
- sëmundje e mushkërive
- pirja e duhanit etj.
Shumë njerëz mund të rrisin nivelet e hemoglobinës me ndryshime në mënyrën e të ushqyerit dhe më ndihmën e suplementeve. Bisedoni me një mjek për të përcaktuar dozën e saktë të suplementit. Por nëse nivelet e hemoglobinës mbeten të ulëta, një person mund të ketë nevojë për trajtim të mëtejshëm, siç është transfuzioni i gjakut. /AgroWeb.org