“Rama tallet me pensionistët”, Blushi: Janë kategoria më e vjedhur. Meritojnë rritje reale të pensionit

TIRANË – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, me anë të një deklaratë për mediat, deklaroi se qeveria e Edi Ramës është duke u tallur me pensionistët. Blushi theksoi se pensionistët sot janë kategoria më e vjedhur, duke shtuar se meritojnë rritje reale të pensionit. Ai shtoi se PL ka nisur një betejë pa kthim, që të garantohen të drejtat e pensionistëve, në fshat dhe në qytet.

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi:

Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin për të luftuar varfërinë duke luftuar padrejtësitë, por në 11 vite në pushtet është faktuar si persekutori më i pashpirt i qindra mijëra pensionistëve shqiptarë, që sot mezi e mbyllin muajin me pensionet qesharake.

Braktisja dhe mungesa e vëmendjes ndaj kësaj gjenerate të nderuar, që aq shumë ka kontribuar për ndërtimin e vendit, është një nga krimet sociale më të mëdha të Qeverisë. Pensionistët nuk kanë qenë kurrë prioritet i Edi Ramës! Sepse në vend që t’u rriste pensionet dhe t’u garantonte shëndetësisë falas siç ua premtoi, “Rilindja” bëri pikërisht të kundërtën.

Jo vetëm i mashtroi pabesisht por prej 11 vitesh vazhdon i vjedh pa mëshirë, më shumë se çdo kategori tjetër, duke i zhytyr gjithmonë dhe më shumë në varfëri ekstreme. Rritja reale e pensioneve do të duhej të ishte në 75.5% në fund të vitit 2023, krahasuar me fundvitin 2013 kur “Rilindja” erdhi në pushtet, por kjo nuk ka ndodhur.

Në zonat urbane pensioni mesatar i pleqërisë do të duhej të ishte sot në nivelin 26,332 lekë në muaj kur ndërkohë është 18,842 lekë. Ndërsa në zonat rurale sot pensioni i pleqërisë do të duhej të ishte në nivelin 14,477 lekë në muaj kur ndërkohë është 11,239 lekë në muaj.

Sot Qeveria i ka borxh secilit pensionist në qytet 7,489 lekë çdo muaj dhe secilit pensionit në fshat 3,238 lekë çdo muaj për shkak të mosindeksimit mbi bazën reale të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe barnave.

Por Edi Rama vazhdon të bëjë veshin e shurdhët!

Sot Qindra mijëra pensionistë, në qytet dhe fshat, kanë nevojë urgjente për rritje reale të pensioneve, për heqjen e 20% të TVSH-së për ushqimet bazë, për shërbime mjekësore falas në banesë dhe për mbulim të pagesës së barnave.

Në vend t’u përmbushë këto kërkesa bazike dhe plotësisht të realizueshme, pra në vend t’u rrisë pensionet, Edi Rama vazhdon dhe tallet, thellon përjashtimin social dhe braktisjen, dhe u sjell si risi pensionistëve, kartat bankare, pra tërheqjen e pensioneve në Banka.

Kur ndërkohë dihet se për shkak të problemeve të shëndetit, të vetmisë dhe varfërisë ekstreme mijëra pensionistë e kanë të vështirë të dalin edhe nga banesat.

Edi Rama është krenar që vjedh pensionistet me inceneratorë, koncesione dhe tendera, por rritje pensioni nuk u bën.

Programi shumë serioz i Partisë së Lirisë për pensionistët u jep përgjigje shumë të fortë dramës sociale dhe ndryshimit të jetës së tyre.

Partia e Lirisë ka propozuar tashmë një reformë konkrete, që aq shumë e kanë pritur dhe po kaq shumë e meritojnë ish-ushtarakët e nderuar shqiptarë, ish-mësuesit dhe ish-mjekët që aq shumë kanë sakrifikuar, ish-minatorët e përvuajtur, të gjitha nënat dhe gjyshet tona shtëpiake, si dhe ata që kanë mbushur moshën e pensionit por që nuk kanë patur mundësi të kenë plotësuar vitet e punës në shtet apo në privat.

Partia e Lirisë që ka prioritet kryesor dhe vëmendje të shtuar ndaj qindra mijëra pensionistëve shqiptarë:

1.Do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një përfitim në përputhje me masën e kontributit të atyre punonjësve të cilët kanë kontribuar në skemën e pensioneve në më pak se 15 vite.

  1. Do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë.
  2. Do t’i propozoj Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mos indeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës.
  3. Do t’i propozoj Gjykatës Kushtetuese mbas këtij gjykimi rimbursimin e plotë të pensionistëve të rritjes së munguar ndër vite për 2013-2023

Partia e Lirisë që ka prioritet kryesor dhe vëmendje të shtuar ndaj qindra mijëra pensionistëve shqiptarë, ka propozuar gjithashtu:

     Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.

     Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore.

     Dhënien e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale.

     Sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese.

     Sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacientëve pensionistë në banesë, si dhe artikujve mjekësorë (paterica, karroca, shtretër ortopedikë), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve.

     Zbatimin e detyruar të protokolleve të geriatrisë në qendrat shëndetësore për pacientët pensionistë.

Partia e Lirisë garanton çdo pensionist, në qytet dhe në fshat, se ka nisur një betejë pa kthim, politike, parlamentare, ligjore dhe institucionale për të mbrojtur dhe rivendosur të gjitha të drejtat e pensionistëve duke garantuar jo vetëm mirëqënien e tyre, por edhe dinjitetin që ata meritojnë në të ardhmen.

()

Arena e Lajmit

“Rama tallet me pensionistët”, Blushi: Janë kategoria më e vjedhur. Meritojnë rritje reale të pensionit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook