Historian dhe autor i disa botimeve për Shqipërinë, Bernd Fischer vjen në një intervistë për “News 24” dhe Arena e Lajmit mbi librin “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”.
Ai ndalet në vijim në disa tema, dekomunstizimi, shkrimi dhe rishkrimi i historisë për vitet e komunizmit, lufta civile gjatë Luftës së Dytë Botërore, zhvillimet në Akademinë e Shkencave, liria akademike dhe ndërhyrja e politikës. Në intervistë ai flet edhe për aktualitetin politik dhe nevojën për një opozitë të fortë për ta bërë demokracinë funksionale
- Fischer, keni qenë disa herë në Shqipëri dhe jeni marrë me historinë tonë. Vitin e shkuar keni botuar bashkë me Oliver Schmit, studimin “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”. Cilat do të veçonit si gjetjet kryesore të këtij hulumtimi?
Duhet të përmend para së gjithash që titulli i librit, nuk ishte plani ynë sepse ka qenë pjesë e një serie të Cambridge University Press me 40 histori të përmbledhura dhe mua mu kërkua ajo e Shqipërisë. Ideja e librit është të prezantojë një vëzhgim bazik për një studim drejtuar të huajve, jo shqiptarëve që do të vijnë në Shqipëri, që do të punojnë në Shqipëri, njerëz të biznesit apo udhëtarë, dhe ky do të ishte një pasqyrë të historisë së Shqipërisë, që nga fillimet deri më 2022. Ajo që është e re është mbase qasja jonë. Ne jemi përpjekur të shpjegojmë Shqipërinë jo vetëm në kontekstin e një rasti të izoluar, por në kuadër të Ballkanit, dhe të shpjegojmë Shqipërinë në kontekstin e Evropës si të tërë. Sepse qartësisht, ajo që ndodh këtu, nuk ndodh në një vakuum. Ne shpjegojmë procesin e pavarësisë së Shqipërisë, ndikimin që patën të huajt, jo vetëm shtetet ballkanike por edhe ato evropiane. Libri është i ndarë në dy pjesë, dhe titullohet një Histori e përmbledhur e Shqipërisë, por ne sigurisht kuptuam që nuk mund të kuptojmë Shqipërinë pa kuptuar shqiptarët dhe gjysma e librit është mbi zhvillimin e shqiptarëve në Ballkan.
Po. Në ambientin ballkanik, nën Perandorinë Osmane, për një kohë shumë të gjatë dhe më pas pavarësia e Shqipërisë dhe historia që nga pavarësia.
- Dhe si është pritur ky libër nga studiuesit shqiptarë?
FISCHER: Në përgjithësi është pritur mirë. Gjithë historia është një përpjekje për të dhënë një kontribut. Nuk është e mundur që dikush të argumentojë se ata kanë fjalën e fundit. Nuk ka vetëm një libër për Shqipërinë. Është punë e historianëve të japin kontribute që të tjerët të punojnë me atë që ti ke dhe të japin një kontribut të mëtejshëm. Historia është një proces aktiv. Është e gjallë dhe ndryshon bazuar në materiale të reja, kujtime të reja, dokumente të reja. Qëllimi ynë ishte paraqitja e një kontributi. Deri tani nuk kemi pasur komente negative, mbase mund të ketë më vonë.
– Zoti Fischer, në vitin 2008 kemi bërë një intervistë mbi diktatorin Hoxha dhe mënyrën si erdhi në pushtet. Në përgjithësi, gjetjet tuaja janë cilësuar objektive, mbase edhe sepse jeni i huaj dhe keni të njëjtën largësi nga palët politike apo polarizimi mbi periudhën e komunizmit. Si e shihni luftën e dytë botërore në Shqipëri, atë që erdhi pas luftës, dhe mënyrën si e interpretojmë historinë ne tri dekada pas rënies së regjimit?
Është shumë e qartë që ka ende një polarizim serioz në Shqipëri sot. Polarizim jo vetëm për luftën, polarizim për periudhën komuniste dhe natyrisht polarizim mbi politikën e këtyre ditëve. Sigurisht unë kam një respekt të thellë për Shqipërinë dhe shqiptarët por unë përpiqem të jem sa më shumë objektiv të jetë e mundur gjë që është ajo që pritet të bëjnë historianët. Sigurisht ka pasur vështirësi mbi këndvështrimin e studiuesve mbi historinë e Shqipërisë, por jam i lumtur që kohët e fundit kam parë punë të jashtëzakonshme që janë botuar jo vetëm nga shqiptarët këtu, por edhe ata që janë jashtë. Punë që janë në nivelet më të larta të i objektivitetit dhe kreativitetit në aspektin historik. Në të shkuarën ka pasur probleme serioze me siguri. Dua të them padyshim gjatë periudhës komuniste çdo gjë që shkruhej për komunizmin nuk ishte objektive.
Në periudhën e menjëherë pas komunizmit, siç e përmendët, ka pasur një polarizim të vërtetë midis antikomunistëve dhe njerëzve që kanë qenë komunistë, por tani mendoj se Shqipëria ka hyrë ngadalë në fazën ku ato qëndrime të tilla janë lënë pas. Kështu që unë jam shumë pozitiv për natyrën e shkrimit të historisë këtu në Shqipëri apo shqiptarëve jashtë.
– Së fundmi, tezat e luftës civile gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri janë më të debatuara. Në fillim ishte një teze vetëm nga të djathtët, tani po pranohet nga të gjithë por ka ende hezitime. Çfarë mendoni për atë që ndodhi mes Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar gjatë luftës, çfarë na tregojnë studimet tuaja për këtë ngjarje?
Natyrisht që pati një luftë shumë serioze dhe shumë njerëz u vranë vërtet. Unë mendoj se shumica e studiuesve pajtohen se ka pasur më shumë shqiptarë të vrarë nga shqiptarët e tjerë sesa nga italianët apo gjermanët. Çështja e një lufte civile megjithatë është më komplekse, në kuptimin që është një term që mund të interpretohet në shumë mënyra. Disa argumentojnë se ka një luftë civile, disa argumentojnë se nuk ka një luftë civile.
Nuk jam i sigurt se ai koncept i veçantë është vërtet kaq i rëndësishëm thjesht sepse vetë koncepti, vetë termi polarizon. Ajo që duhet të shohim është në të vërtetë ajo që ndodhi. Sa njerëz u vranë, kush ishte në anën e kujt, kjo për mua është më e rëndësishme sesa të dalim me etiketime. Etiketimet nuk janë aq kritike, përveç faktit se ato tregojnë mbështetje për njërën anë ose tjetrën. Pra, ndoshta duhet t’i heqim plotësisht ato.