Deputetja e PL Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me kërkesën e depozituar ditën e djeshme në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e opozitës, në lidhje me ndryshimin e ligjit për Komisionet Hetimore.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ajo u shpreh se e drejta për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv dhe për të balancuar pushtetet iu hoq Parlamentit në mënyrë të padrejtë me forcën e kartonit.
Ky ligj sipas saj është një tjetër taktikë e mazhorancës për t’iu shmangur llogaridhënies e transparencës me qytetarët.
Postimi:
Bashkë me kolegët e opozitës kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shfuqizuar ligjin për komisionet hetimore.
E drejta për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv dhe për të balancuar pushtetet iu hoq Parlamentit në mënyrë të padrejtë me forcën e kartonit.
Ligji që i mohon opozitës të drejtën për ngritjen e komisioneve hetimore, gjë e cila është parashikuar në Nenin 77, shënoi kthimin e Parlamentit në një degë të ekzekutivit, duke shkatërruar mekanizmat e kontrollit parlamentar.
Ky ligj është një tjetër taktikë e maxhorancës në pushtet për t’iu shmangur llogaridhënies e transparencës me qytetarët, sepse vjedhjet, abuzimi dhe korrupsioni janë praktika e zakonshme e saj.
Rezoluta e fundit e PE e vë theksin te miratimi pa konsensus i ligjit për komisionet hetimore parlamentare dhe nënvizon forcimin e llogaridhënies dhe qeverisjes demokratike në Shqipëri përmes përdorimit të mbikëqyrjes, duke përfshirë komisionet hetimore.
Urojmë që Gjykata Kushtetuese të gjykojë me integritet dhe paanshmëri këtë shkelje të hapur të ligjit themelor të shtetit.