Një 34-vjeçare nga Vlora, po procedohet penalisht, pasi akuzohet se shiste veshje të kontrabanduara. Veshjet në fjalë kapnin shifrat e 7 000 eurove.
NJOFTIMI I POLICISE
Shiste online, veshje të ndryshme të kontrabanduara, identifikohet dhe procedohet penalisht 34-vjeçarja. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, veshje të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë 7 000 euro. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit 3”, si rezultat i të cilit u godit një rast i tregtimit të mallrave të kontrabanduara. Për këtë rast u refruan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen:
-D. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Gjatë kontrollit në ambientin ku kjo shtetase dyshohet se magazinonte veshje të cilat i shiste online, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, veshje të ndryshme me vlerë rreth 7 000 euro, për të cilat kjo shtetase nuk dispononte faturën përkatëse të deklarimit në autoritetin doganor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.