Interesi për finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Fejnordit ka qenë aq i madh, sa biletat e vëna në dispozicion nga faqja e UEFA-s kanë “avulluar” për më pak se 2 orë. Pas hapjes së llogarisë në portalin e UEFA-s, procedura vijonte me pritjen në radhë për 13-15 minuta dhe më pas shfaqeshin kategoritë e biletave.
Kategoritë në stadium dhe çmimet – Pas hapjes së llogarisë, në faqen e UEFA-s shfaqeshin katër kategori çmimesh biletash: 1, 2, 3, 4. Çdo kategori kishte nga dy çmime të ndara, në rastin konkret, në kategorinë e 4-t biletat kushtonin 20 dhe 25 euro, në kategorinë e tretë 35 dhe 45 euro, te kategoria 2 shkonin 65 dhe 85 euro dhe te kategoria 1 biletat kushtonin 100 dhe 125 euro.
VENDI NË STADIUM – Në faqen ku bliheshin biletat nuk ishte e përcaktuar me foto se kategoria 2 apo 3 do të kishte këtë vend në stadium. Kjo do të publikohet në ditët në vijim, pasi çdo person që ka blerë biletë, do të njoftohet për detajet e sektorit dhe vendit se ku do të ulet. Por sipas një vëzhgimi të “Panorama Sport”, kategoritë e stadiumeve që UEFA ka publikuar janë kështu:
Kategoria 1 – Janë ulëset të pozicionuara me pamje qendrore.
Kategoria 2 – Janë ulëset të pozicionuara në ekstreme, që i bie te pjesa e korneve.
Kategoria 3 – Janë ulëset mbrapa portave, por që kanë një pamje të mirë.
Kategoria 4 – Janë ulëset të pozicionuara mbrapa portave në pikën më të ulët dhe më të lartë të tribunës. Gjithsesi, këto kategori nuk janë fikse, pasi siç e shpjegon edhe UEFA, vendosja e tyre varet edhe nga lloji i stadiumit ku po luhet.
Arena e Lajmit