Në “Gëzuar me ju” këtë të diel ishte i ftuar grupi i njohur i serenatave korçare “Serenata të zgjedhura”, të cilët me muzikën dhe performancën e tyre krijuan një atmosferë shumë të bukur në studio.
Këngëtarja e grupit Jorgjeta Lalazi, një përfaqësuese e denjë e serenatës korçare, tregoi se është rritur në një familje me tradita, ku të gjithë e donin muzikën. Edhe pse prindërit e saj, sidomos babai, nuk dëshironte që ajo ta vazhdonte rrugën e artit, me shumë këmbëngulje, Jorgjeta arriti të thyente tabu dhe të dilte në skenë, duke bërë realitet ëndrrën e saj.
Të pranishëm në program nga grupi i “Serenatave të zgjedhura” ishte edhe mjeshtri i klarinetës Zhani Struga, Ylli Ibrahimi, kitarist virtuoz dhe djali i të madhit Abaz Hajro (fizarmonicist dhe kantautor i disa serenatave), Agron Xhemo, i cili prej 20 vitesh këndon me këngëtaren Jorgjeta Lalazi, Theofan Velko, këngëtar i vjetër i serenatave, Kristi Sherko, profesor në shkollën e muzikës, Xhulio Morava, i cili këndon, i bie violinës, fizarmonikës dhe të gjitha veglave dhe Kristaq Fermanis, pjesëtar i grupit dhe përgjegjës për të.
Muzika e bukur korçare ishte padyshim kryefjala e kësaj mbrëmje dhe disa nga këngët që grupi këndoi ishin, “Lule e bukur porsi dielli”, “Kaloja rrugës tënde vajzë”, “Në strehën e vjetër të një prej shtëpive”, “Kali i bardhë”, “Eja në prehër moj të të marr”, “Pra ti vetëm qaje”, “Ti je femër”, etj..