Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, trajtoi mbrëmjen e sotme atentatin me armë zjarri ndaj Gentian Bejtjas, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash të premten e shkuar.
Pjesë nga dokumentari:
Një nga misteret e ditës së krimit, që mbetet ende për t’u zbuluar është mungesa e rrymës elektrike në zonë, përgjatë gjithë ditës kur ndodhi krimi, në fshatin Larushk. Një detaj që ndoshta nuk do bënte përshtypje në një situatë normale në një vend si Shqipëria, ku ka shpesh stakime të rrymës elektrike. Por jo edhe kaq i parëndësishëm në krime të tilla, ku bandat jo vetëm veprojnë me vendosmëri, por edhe përdorin teknika të ndryshme për të gjurmuar objektivat e tyre, apo për të fshehur gjurmët. Siç mund të jetë edhe rasti konkret, ku për shkak të mungesës së energjisë, kamerat e sigurisë në zonë nuk kanë funksionuar. Dhe për pasojë nuk kanë filmuar as momentin e vrasjes, po të kemi parasysh se vila e Gentjan Bejtjas, ishte e rrethuar në të gjitha anët me shumë të tilla. Por po kështu kamerat e sigurisë nuk kanë dokumentuar as largimin e togës së qitësve dhe makinës së tyre.
Çka e bën edhe më të vështirë për grupin hetues, identifikimin e tyre. Një skemë e ngjashme kjo, thuhet se u përdor, edhe në vrasjen me snajper të ndodhur më 7 janar të këtij viti në Vlorë. Atë të të riut Gëzim Sinomataj, ku pak para krimit, në lagjen ku ai banonte mungonte energjia elektrike. Por nëse ky është një element i rëndësishëm në fazën e hetimeve, me interes është të dihet edhe mënyra se si Gentjan Bejtja u vra. Si e kuptuan vrasësit që ai ishte kthyer sërish në banesë, pas një kohe të gjatë në arrati? A u mbajt ai në monitorim nga distanca të largëta, nga vilat që e rrethojnë. Duke ditur edhe terrenin fushor në fshatin Larushk, ku ai banonte. Pra, a kishte një informator brenda fshatit, që po furnizonte me të dhëna, grupin kriminal që ishte vënë në kërkim të kokës së tij.
“42-vjeçari, Gentjan Bejtja, baba i dy fëmijëve, gjatë datës 15 Mars, ishte duke punuar te shtëpia e babait të tij, që është vetëm 100 metra, ngjitur me banesën e tij. Pasi ka punuar në këtë banesë, në orën 16.35, ai është afruar në vilën e tij. Por në momentin që ka mbërritur te hyrja kryesore e banesës, pranë tij ka mbërritur një makinë ‘Land Rover’ me katër persona në bord”, thuhet në dosje.
Pra, siç shikohet autorët kishin një informacion të përpiktë mbi lëvizjet e shënjestrës së tij. Duke mos gabuar asnjë hap në ndjekjen e tij. Gjë që mund të përputhet vetëm me një përgjim ambiental të plotë të viktimës. Kjo pasi do ishte e pamundur që në një situatë tjetër makina ‘Land Rover’ me katër qitësit në bord, të ishte kaq e saktë me lëvizjet e saj me ato të Gentjan Bejtjes. Por edhe të qëndronte në fshat, e pa pikasur. Çka mund të çojë edhe në mendimin se makina ka dalë nga nga hangari i një prej banesave në zonë. Dhe koha për të mbërritur deri në derën e banesës së Bejtjas të ketë qenë kaq e shkurtër, aq sa të mos i jepte mundësi shënjestrës të mbyllte portën e madhe hyrëse të vilës. Ndoshta e vetmja mundësi për ta kapur atë të papërgatitur, kjo për shkak të masave të forta të sigurisë me të cilat ai ruhej. Ndërkohë që në vendin e krimit, u gjendën 48 gëzhoja armësh, të shpërndara kudo.
“Dëshmitarët kanë folur për dy persona të armatosur me kallashnikovë, të cilët zbritën nga makinat dhe nisën të qëllojnë ndaj Bejtjas. Ky i fundit tentoi të largohej dhe vrapoi drejt serave, që ndodhen në krah të banesës. Por plumbat që vërshuan drejt tij, nuk i lanë asnjë mundësi shpëtimi. Ai u qëllua rreth 30 herë, duke mbetur i vdekur në vend. Ata më pas u tërhoqën mbrapsht. Ku krahët ua mbronte një person i tretë i armatosur, ndërsa personi i katërt drejtonte makinën”, thuhet në dosje. Por në lidhje me itinerarin që makina e autorëve ndoqi fillimisht për të mbërritur deri në fshatin Larushk, grupi hetues ka mundur të dokumentojë nëpërmjet pamjeve filmike, udhëtimin që kjo makinë ka kryer si edhe rrugën që ka ndjekur gjatë largimit, nga vendi i krimit.
“Nga pamjet filmike të siguruara rezulton se makina e vrasësve ka mbërritur në fshatin Larushk nga drejtimi Tiranë-Fushë Krujë. Dhe më pas ka hyrë në një rrugicë në të majtë”, thuhet në dosje. Po sipas grupit hetues me të dalë nga banesa dhe u bindën që krimi ishte kryer me sukses dhe Gentjan Bejtja nuk do u hapte më telashe në vazhdim, grupi i pushkatarëve ka marrë rrugën e kthimit drejt Thumanës. Aty ku në fshatin Hasan dogjën edhe makinën ‘Land Rover’ dhe me siguri u larguan me një automjet tjetër, për të humbur gjurmët edhe sot, të paidentifikuar nga policia. “Pasi kryen krimin, automjeti tip ‘Land Rover’ me katër personat në bord, është kthyer pas dhe ka dalë në rrugë kryesore. Aty ku më tej ka marrë rrugën në drejtim të Thumanës. Gjatë verifikimeve të kryera nga policia, një orë më pas në fshatin Hasan është gjetur i djegur një automjet, brenda të cilit janë konstatuar edhe 4 kallashnikovë, po të djegur”, thuhet në dosje.
Verifikimet e mëtejshme të grupit hetues, dolën në përfundimin që ashtu si në raste të ngjashme, edhe këtë herë makina e përdorur në krim ishte e vjedhur. Ashtu si edhe targat e saj. çka përforcon edhe njëherë mendimin se grupet kriminale, përpos zotërimit të terrenit dhe posedimit të armëve, kanë në ndihmë edhe një strukturë tjetër, që u vjen në ndihmë. Atë të grabitësve të makinave, të cilët janë vënë në shërbim të tyre, jo vetëm duke vënë në dispozicion automjete, por edhe t’i fshehin ato në bazat e tyre, deri në momentin që këto makina do të duhet të thirren në punë. Siç ishte edhe rasti i fundit, në atentatin ndaj Gentjan Bejtjas. “Në lidhje me vrasjen e ndodhur më datë 15 Mars 2024 në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, nga verifikimet e policisë është arritur në përfundimin se targat e automjetit ‘Land Rover’ të përdorur në krim, rezultojnë të vjedhura në Tiranë, ndërsa makina dyshohet së është grabitur në qytetin e Shkodrës dhe i përket një gruaje”, thuhet në dosje.
Një nga personat e parë që u mor në pyetje në lidhje me krimin dhe dijeninë që ai mund të kishte për përplasjet midis grupit të përçarë tashmë të Niklës, ishte Marklen Haka. Njeriu të cilit i janë bërë dy atentate të rënda, brenda këtij fshati. Njëri në derën e vilës së tij në shtator të vitit 2019. Nga një togë qitësish, ku jo vetëm mbeti i plagosur rëndë, por humbi jetën edhe halla e tij Shpresa Basha. Haka, i cili u rikthye në qendër të një sulmi me armë në qershor të vitit 2022, në kryqëzimin e fshatit Nikël, vetëm një orë pasi kishte lënë fortesën e tij, për të konsumuar një kafe me dy mikesha të tijat. Ku në kthim u zu në pritë nga batareja e plumbave të derdhur në drejtim të makinës së tij, nga një tjetër automjet në lëvizje, që i ishte vënë në ndjekje.
Por në dëshminë e tij, lidhur mbi ekzekutimin e Gentjan Bejtjas, Marklen Haka, mohoi që të kishte gisht në këtë ngjarje. Edhe pse ndaj tij u morën gjurmë gishtash, për të parë nëse kishte faktorë plotësues për qitje. Po kështu policia kërkoi të marrë edhe dëshminë e vëllezërve Durim dhe Valter Bami. Por kjo dëshmi u bë e pamundur, pasi ata thuhet se janë larguar jashtë vendit. Valter Bami i cili ka qenë i thirrur dhe është mbajtur i ndaluar për disa kohë, edhe për atentatin e tretë në radhë ndaj Gentjan Bejtjas, ndodhur në korrik të vitit 2023, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino, dhe u lënduan dy fëmijët e tij. Por ajo që po e vështirëson edhe më shumë zbardhjen e ngjarjes, është mungesa e bashkëpunimit nga ana e familjarëve, të cilët kanë vendosur të heshtin, ndoshta edhe për shkak të frikës, që i ka përfshirë. Ndërsa Gentjan Bejtja thuhet se kishte kërkuar azil në dy vende evropiane, në Norvegji dhe Suedi, por ky azil i ishte refuzuar. Por cilat janë ngjarjet kriminale, ku Gentjan Bejtja është përfshirë?
Si u bë ai i rëndësishëm për botën e krimit dhe kush ja mbylli gojën mikut të Enver Stafukës? Fillimisht emri i Gentjan Bejtjas nisi të qarkullojë në rrethin kriminal në vitin 2013. Në shkurt të këtij viti, ku ai dyshohet se bashkë me mikun e tij Enver Stafuka, kishin vjedhur apo siguruar një automjet tip ‘BMW’. Makinë që më pas thuhet se u përdor në atentatin ndaj komisarit të policisë, Dritan Lamaj, i cili u vra në Tiranë më 24 shkurt 2013. Por një vendim gjykate më 13 Nëntor 2013 i la të lirë dy miqtë dhe rrëzoi akuzën për vjedhje në bashkëpunim të automjetit që u përdor në krim. Por mesa duket ky ishte vetëm fillimi i shtrirjes së këmbëve në krim të Bejtjas. Pasi dyshimet e mëvonshme, tregojnë që ai është po aq aktiv edhe në ngjarje të tjera kriminale. Ajo që dihet është se Bejtja ruante një miqësi të fortë me Enver Stafukën, miqësi që nuk dihet në çrrethana kishte lindur, por që më vonë rezulton se ishte kthyer në një bashkëpunim të ngushtë midis të dyve.
Enver Stafuka, i cili dyshohet si një nga personat që ka marrë pjesë edhe në vrasjen e bankierit Artan Santo, në qendër të Tiranës, më datë 26 qershor 2014. Dyshim që nuk u vërtetua kurrë, pasi Stafuka u rrëmbye dhe u zhduk disa muaj më vonë, mbëmjen e 8 Shkurtit 2015, në qendër të Fushë-Krujës, nga një grup keqbërësish të veshur me rroba policie. Vetëm disa sekonda pasi kishte dalë nga ky lokal, siç shikohet edhe në këto pamje të transmetuara nga emisioni ‘Në shënjestër’. Pamje që na treguan edhe momentin, kur në këtë lokal, mbërrijnë edhe disa nga eksponentët e krimit në Fushë-Krujë dhe Nikël. Midis tyre edhe miku i tij Gentjan Bejtja. Por që në dalje nga lokali, Enver Stafuka shfaqet i vetëm, deri në momentin ku pa shkuar te makina, ai ndalohet nga njerëz me uniformë policie.
Por që në të vërtetë do të rezultonin rrëmbyesit e tij. Mesa duket zhdukja e programuar e mikut të tij Enver Stafuka, ka sjellë edhe përplasjet e para brenda grupit të Niklës. Dhe të atyre që deri në këtë moment ishin miq me njëri-tjetrin.
Pas zhdukjes së mikut të tij Enver Stafuka, shpejt Gentjan Bejtja do të vihej në qendër të atentateve të vazhdueshme. “Në orën 9.30 të mëngjesit, Gentjan Bejtja, i njohur edhe me emrin Edmond, ka mbetur i plagosur si pasojë e shpërthimit të një sasie tritoli të vendosur në kofanon e makinës së tij. tip ‘Touareg’, jo shumë larg shtëpisë së tij në fshatin Larushk. Në momentin që ai ka ndezur makinën dhe ka nisur të lëvizë, një sasi eksplozivi që ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit, pranë derës së shoferit, ka shpërthyer, ku për pasojë ai ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë dhe është dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në dosje. Në atë kohë ndër emrat që u përfol si bashkëpunëtor në këtë atentat dhe u mor në pyetje nga policia e Krujës, ishte edhe Marklen Haka. Ndërsa personi kryesor ku u ndalën hetimet, mundi të arratiset nga duart e policëve dhe të zhvendoset në Itali, ku edhe aty ia doli të arratiset nga burgu i Trevizos. Por atentati i ndodhur në vitin 2016, nuk do të ishte i pari kundrejt Gentjan Bejtjas. Gjashtë vite më vonë, ai do të ishte sërish pre e një sulmi të radhës, ku edhe këtë herë mbeti i plagosur.
“Mbrëmjen e 9 Janarit 2022, Gentjan Bejtja, mbeti i plagosur me armë në afërsi të një karburanti në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Në momentin që iu zu pritë, ai ishte duke udhëtuar në makinë bashkë me shtetasin Klodjan Stafuka, kur drejt tyre u qëllua me kallashnikov nga një makinë në lëvizje.
Nga ky sulm me armë Bejtja u plagos me një plumb të vetëm në krah, ndërsa pasagjeri Stafuka mori dëmtime në kokë dhe u plagos, si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit”, thuhet në dosje. Në atë kohë Bejtja tha se nuk i njihte atentatorët. Por me siguri ky nuk ishte një rrëfim i sinqertë nga ana e tij për grupin hetues. Edhe pse kamerat e sigurisë së karburantit u sekuestruan, ato nuk mundën të tregonin se kush ishin autorët. Por gjatë kësaj periudhe shumë ngjarje të rënda, po ndodhnin rreth Niklës dhe territorit përreth, apo edhe më tej. Që tregonin se personazhet e këtij fshati, ishin gjithmonë e më shpesh në aksion dhe pse jo kishin kthyer armët, apo edhe po shërbenin për të tradhtuar njëri-tjetrin.
Siç ishte edhe çarja përfundimtare midis Bamëve dhe Bejtjas, dikur në shoqëri të përbashkët.Ndarje që u pa edhe në varrimin e Iljas Çalit, mikut të vrarë të Gentjan Bejtjas, më 3 prill 2022. Aksioner në biznesin e kromit, i cili u qëllua ndërsa po udhëtonte këtë mbrëmje nga Tirana drejt Rinasit. Ku Gentjan Bejtja tha për grupin hetues se ai nuk shkoi në varrimin e mikut të tij, pasi aty ishin ata që konsideroheshin armiqtë e tij.
Gentjan Bejtja: Ai më tha që ‘e kam marrë vetë minierën’. Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë kisha miqësi me të, por nuk kisha lidhje aq të forta me familjen e tij.
Por në atë kohë alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishte pasur hyrje-dalje familjare, nuk iu duk aspak e besueshme hetuesve. Ku mendohet se ai nuk shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit Iljas Çalit, me qëllim për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjerë nga Nikla, që gjendeshin në atë varrim, me të cilët ai ishte në konflikt të hapur kohët e fundit. Por Bejtja ashtu sikurse i ishin bërë atentate të vazhdueshme, po kështu ishte edhe një personat e dyshuar për sulmet me armë, që po i bëheshin kohë pas kohe, rivalëve të tij të urryer.
Njëri prej tyre edhe Marklen Haka, personazh me të cilin ndante një urrejtje të gjatë. Për të cilin u mor në pyetje fill pas atentatit të dytë që këtij të fundit iu bë në qershor të vitit 2022. Por Bejtja rezultonte se nuk kishte më kundërshtar vetëm Marklen Hakën. Por edhe vëllezërit Valter dhe Durim Bami. Të konsideruar si ‘të fortët’ e fshatit Nikël në Fushë-Krujë. Personazhe, banesat e të cilëve ishin të parat që u kontrolluan nga policia, fill pas atentatit të mbrëmjes së 4 Korrikut 2023.
Në derën e banesës së vilës së Gentjan Bejtjes, ku mbeti i vrarë kunati i tij, 29 vjeçari Ramazan Sino. Si edhe u plagos rëndë djali i madh. Valter Bami që ishte edhe një ndër të parët që u mor në pyetje nga policia në lidhje me atentatin ndaj familjes së Gentjan Bejtjas. Por një tjetër ngjarje, ku Bejtja mendohet se kishte dijeni, apo ishte bashkëpunëtor, ishte edhe ajo e ekzekutimit të Brilant Martinaj. Kushëririt të parë të mbretit të bixhozit, Ervis Martinaj, edhe ky i zhdukur që nga gushti i vitit 2022. Ku thuhet se ai e kishte nxjerrë në pritë, këtë të fundit. Brilant Martinaj, i cili u vra më 17 korrik 2022, ndërsa po udhëtonte me dy miqtë e tij, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, në atë që njihet si mbikalimi i Fushë-Krujës.
Por a janë gjithë këto ngjarje kriminale, të ndodhura në harkun kohor të vitit 2022, por edhe më herët që çuan në elemiminin e Gentjan Bejtjas? Çfarë të vërtete mori ai me vete dhe që nuk do ta mësojmë dot kurrë mbi këto krime, shpesh të përbindshme? Që dikush u investua fuqishëm për ti mbyllur gojën përfundimisht? Dhe pse policia nuk bëri përpjekje që ta bindte të dorëzohej dhe të rrëfehej?!!
(Arena e Lajmit)