Kamëz
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Game over”.
Ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në një lokal, vihen në pranga 3 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.
Sekuestrohen 9550 euro dhe 142 500 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, në një lokal në Kamëz, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Game over”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. D., 51 vjeç, P. P., 44 vjeç, A. J., 41 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi V. S., 45 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë këtij operacioni është ushtruar kontroll në një lokal në Kamëz, në të cilin, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë këta shtetas duke ushtruar veprimtaritë e lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 9550 euro dhe 142 500 lekë të rinj, të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.