Masakra e Don Boskos, ‘Në shënjestër’ zbulon fakte të reja. I penduari zbardh kontratën e vrasjes: Kasandër Noga dha 100 mijë euro për të eliminuar…

Ajo ngjarje kriminale, është një nga masakrat më të pabesa që dora e zezë e vrasësve ka kryer në vitet e fundit në kryeqytet. Një krim që më pas i hapi rrugë edhe shumë të tjerëve të ngjashëm, ku plumbat, jo vetëm morën jetë të pafajshme, por nuk kursyen as fëmijët dhe gratë. Të cilët nuk kishin asnjë lidhje direkte apo indirekte me shënjestrat e vërteta të atentatit. Kështu duket të jetë edhe ajo që sot njihet si Masakra e ‘Don Boskos’, ngjarje kriminale e cila ka marrë emrin nga veta zona ku ndodhi krimi në Tiranë, më 4 Janar 2022.

Nga ngjarja, humbi jetën një i ri i pafajshëm, i identifikuar si Erjon Çela, dhe u plagosën katër persona të tjerë, tre nga të cilët ishin me të në tavolinë. Grupet e interesuara kriminale, jo vetëm ngatërruan objektivin, por treguan të gjithë ashpërsinë, duke mos kursyer askënd në arritjen e qëllimit për të eliminuar fokusin e tyre, pavarësisht se me kë do të ishte i ulur ky subjekt në tavolinë. Për ngjarjen, personi i vetëm i arrestuar është Kasandër Noga, një personazh i rëndësishëm i krimit në 30 vitet e fundit në Shqipëri, i përfshirë në shumë vrasje, por që rivali i tij deri në vdekje, mesa duket do të ishte Geron Hasanbelli, të cilit ai ishte vënë në ndjekje këmba këmbës. Atë e ndiqte kudo ku ai shkelte, bashkë me të vëllanë, Erjonin, alias Mikel Rakipllari. Këtë të fundit, Kasandër Noga, në mungesë të vëllait të tij Geronit, kërkoi ta eliminonte edhe atë pasdite, pas informacioneve që kishte marrë se ai ishte i ulur në lokalin ku më pas ndodhi edhe masakra. Më pas rezultoi se njerëzit që ai kishte paguar për të hequr qafe kundërshtarin e tij të përbetuar dhe nipat e tij, kishin gabuar shënjestër, dhe kishin hapur zjarr ndaj një tavoline, ku ishin të ulur persona që po pinin kafe dhe që nuk kishin asnjë lidhje me rivalin e tyre.

Për herë të parë emisioni ‘Në shënjestër’ do të përpiqet edhe njëherë nëpërmjet fakteve të reja, të hedhë dritë mbi këtë ngjarje kriminale dhe përfshirjen e Kasandër Nogës dhe nipit të tij Kevin Zeneli (Suçi) në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Si njerëzit e Kasandër Nogës i ndoqën vëllezërit Hasanbelli dhe nipat e tyre? Dhe pse ata gabuan shënjestër, dhe qëlluan mbi persona që nuk kishin lidhje me hasmin e tyre të vjetër?

“Më datë 4 Janar 2022, rreth orës 16:10, në vendin e quajtur rruga ‘Don Bosko’, në Tiranë, persona të panjohur të cilët ishin në lëvizje dhe qarkullonin me automjetin e markës ‘Mercedez Benz’, me ngjyrë të zezë, me targa AA 125 UK kanë hapur zjarr me armë në drejtim të Bar Kafe ‘Focus’, në pronësi të shtetasit Elenian Adushaj. Ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen Erjon Çela, si dhe janë plagosur shtetasit Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj”, thuhet në dosje.

Por siç rezultoi më pas, dhe që tashmë është e njohur, viktima Erjon Çela një shitës produktesh duhani pranë lokalit ku po pinte kafe dhe miqtë e tij në tavolinë, ishin objektivi i ngatërruar i atentatit. Në fokus të personave që qëlluan nuk ishin ata, por Erjon Hasanbelli dhe nipat e tij, të cilët në atë moment nuk ndodheshin në lokal, pavarësisht se ai ishte bari ku ata shikoheshin shpesh të frekuentonin.

Ai që u bë i penduari i parë i kësaj ngjarje dhe rrëfeu planin për të vrarë vëllezërit Hasanbelli dhe nipat e tij, ishte Indrit Beqiraj. Ai i tregoi para grupit hetues se ai dhe vëllai i tij Gentjani, ishin paguar nga Kasandër Noga, nëpërmjet nipit të tij Kevin Zeneli (Suçi) për të vrarë fillimisht shtetasin Geron Hasanbelli dhe në mungesë të tij vëllain Erjonin, ose nipat e tyre. Rrëfimi i Indrit Beqiraj, lidhur mbi masakrën e ‘Don Boskos’ dhe përfshirjen në këtë krim të Kasandër Nogës, erdhi pas një tjetër ngjarje, ku Indriti dhe vëllai i tij Gentjani ishin marrë peng nga një tjetër personazh i rëndësishëm i krimit në Durrës, për të cilin ata ishin paguar për ta ndjekur nga pas dhe për ta vrarë, kundrejt pagesës. Ashtu sikur ishin rekrutuar edhe për të vrarë vëllezërit Hasanbelli dhe nipat e tij, po kundrejt pagesës, nga Kasandër Noga dhe nipi i tij Kevin Zeneli (Suçi).

“Më datë 2 tetor 2022, Prokuroria Durrës ka registruar procedimin në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal, në ngarkim të disa shtetasve ndër të cilët edhe Gentjan dhe Indrit Beqiraj dhe Kevin Zeneli (Suçi). Ku vëllezërit Beqiraj, kanë dhënë detaje me interes, në lidhe me ngjarjen e ndodhur më datë 4 Janar 2022, në Bar Kafe ‘Focus’, në lagjen ‘Don Bosko’, në Tiranë”, thuhet në dosje.

Sipas vëllezërve Beqiraj, personi i parë që i kishte kontaktuar për të vrarë Geron Hasanbelli, ishte Ilirian Feçi, i cili i kishte ofruar 100 mijë euro për ta kryer këtë vrasje, të cilën sipas tij e kërkonte me çdo kusht Kasandër Noga. Por ndërsa vëllezërit Beqiraj, nuk kishin mundur ta kryenin këtë vrasje, një ditë ata shikojnë në televizor, se puna që kishin marrë përsipër, ishte kryer nga një tjetër grup kriminal. Por, në vend të objektivit të vërtetë të atentatit, ishin vrarë persona të tjerë të pafajshëm.  “Pasi unë pashë në televizor më datë 4 Janar 2022, ngjarjen e ndodhur te lokal ‘Focus’ në  rrugën ‘Don Bosko’, ku  ishin qëlluar me armë disa persona, ndër të tjera konstatova nga pamjet filmike se automjeti tip ‘Mercedes Benz’ që ishte përdorur në krim, ishte i njëjti me atë që Kevin Zeneli (Suçi), na kishte sjellë fillimisht për të vrarë shtetasin Arben Mërkuri, njohur si ‘Maneci’. Automjet që më pas Kevini na e kishte marrë pa lajmëruar”, sqaron Indrit Beqiraj.

Indrit Beqiraj tha më tej se ai u përpoq të lidhej që nga ai moment me Kevin Zenelin, por kjo telefonatë ishte e pamundur, pasi Kevini e kishte telefonin të fikur.  Ndërkohë që ai vetë filloi të dyshonte fort se autorësinë e krimit të ‘Don Boskos’ e kishte marrë përsipër dikush tjetër ose Kevini ia kishte dhënë një vrasësi të ndryshëm me pagesë.

Edhe pse nuk po kuptonte se përse nuk ishin vrarë objektivat që atij i ishin dhënë më herët nga Kevini dhe Kasandër Noga, por emra të tjerë për të cilët nuk ishte folur më parë. Ndërkohë, ata u takuan së bashku dy ditë më pas, ku Indriti e pyeti për atë çfarë kishte ndodhur.  “Menjëherë sapo pashë ‘Benzin’, unë telefonova Kevinin, por ai nuk ma hapi telefonin. Gjatë kohës që ai po më shoqëronte me makinë, unë e pyeta për punën e ‘Don Boskos’, ndërsa ai mu përgjigj, se u ngatërrua informata. Më tej unë e pyeta Kevinin se më kë e kishte kryer ngjarjen e ndodhur, por ai nuk më tregoi emër, vetëm më tha që i kishte dhënë dikujt një shumë prej 50 000 eurosh”, thotë Beqiraj.

Më tej Indrit Beqiraj tha për grupin hetues se vetë Kevin Suçi, i kishte thënë se ai kishte qenë pasagjer në makinën që qëlloi ndaj tavolinës ku ndodheshin të ulur personat, që më pas rezultuan se ishin të gabuarit dhe se nuk ishte faji i vrasësit, por i informatorit të Kasandrit që kishte ngatërruar objektiv. Sipas Indrit Beqirajt, Kevini i kishte thënë se shënjestra e gabuar e atentatit mbante një kapele dhe një xhup të kuq të veshur. Por viktima nuk ishte Erjon Hasanbelli me nipat e tij, por dikush tjetër me të afërmit e tij.

Do të ishin këto rrëfime të lidhura me gjetjet e grupit hetues në vazhdim, të cilat do të konfirmonin rolin e Kevin Suçit dhe Kasandër Nogës, në masakrën e ‘Don Boskos’ si edhe ndjekjen që vëllezërit Beqiraj, i kishin bërë Geron Hasanbelli dhe nipave të tij. Këto informacione, më pas Kevin Suçi dhe Kasandër Noga i kishin shfrytëzuar, për të mbajtur në kontroll lëvizjet e Erjonit, i cili në këto kohë ndodhej në Tiranë. Pavarësisht se në përfundim të aksionit të tyre, ata gabuan, dhe qëlluan ndaj personave të tjerë.

“Pas rrëfimeve të vëllezërve Beqiraj, të cilët treguan me gisht banesën e marrë me qira, në vijim ata treguan edhe lokalin ‘Focus’ në rrugën ‘Don Bosko’ që e kishin mbajtur në vezhgim si dhe vendin ku ata qëndronin në distancë, një lokal që gjendet përballë atij ‘Focus’. Po kështu vëllezërit Beqiraj, treguan edhe tabakinon që ishte objekti ku vinin dhe ruanin nipat e vëllezërve Hasanbelli, që është në zonën e ‘Astirit’ në Unazë”, thuhet në dosje.

 Po kështu vëllezërit Beqiraj, treguan për grupin hetues edhe vendet e tjera të përdorura nga ta, për të fshehur makinat që ua jepte në dispozicion Kevin Suçi. Si edhe vendet ku ata lëviznin së bashku, qoftë për të qenë pranë objektivave të tyre, por edhe aty ku shkonin për të bërë planet se si mundeshin t’u afroheshin. Ku gjithmonë personi që i mbikëqyrte ishte Kevin Zeneli, që shpesh u përcillte porositë e Kasandër Nogës se si duhet të vepronin. Ku për herë të parë del në skenë edhe automjeti tip ‘Mercedes Benz’ që u përdor më pas në ngjarjen kriminale të ‘Don Boskos’.

 “Gjatë hetimeve, vëllezërit Beqiraj, treguan edhe garazhin poshtë një pallati, ku Kevin Suçi kishte marrë një mjet ‘Hunday’ me qira dhe kishte lënë një tjetër. Si edhe itinerarin e lëvizjes që të çon në rrugën e ‘Lapidarit’ në kodrën e lagjes Sauk i Vjetër, aty nga ku kishin marrë mjetin ‘Benz’ me targa suedeze me ngjyrë blu të errët, që dyshohet se më pas është përdorur në ngjarjen e datës 4 Janar 2022 në rrugën ‘Don Bosko’”, thuhet në dosje.

Arena e Lajmit

Masakra e Don Boskos, ‘Në shënjestër’ zbulon fakte të reja. I penduari zbardh kontratën e vrasjes: Kasandër Noga dha 100 mijë euro për të eliminuar…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook