Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaron se inkurajimi dhe mbi të gjitha promovimi i migracionit të ligjshëm nëpërmjet lehtësimit të procedurave për bashkim familjar apo punësim sezonal mbeten mënyra më efikase për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Deklaratat ministri Balla i bëri gjatë takimit të Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës me Britaninë e Madhe për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera kriminale. Sipas Ballës, shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK i shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në të dy vendet tona.
“Ne së bashku duhet të kontribuojmë më shumë për promovimin mediatik të rezultateve të arritura, që përveç qëllimit të informimit të publikut duhet të ketë në brendësi mesazhe dekurajuese për fenomenin e emigrimit të paligjshëm dhe abuzimit të sistemin e azilit. Padyshim inkurajimi dhe mbi të gjitha promovimi i migracionit të ligjshëm nëpërmjet lehtësimit të procedurave për bashkim familjar apo punësim sezonal mbeten mënyra më efikase për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Rezultatet e deritanishme janë të mira, nuk hezitoj t’i quaj të jashtëzakonshme dhe tregojnë se bashkëpunimi i strukturave tona është produktiv, i suksesshëm dhe një shembull edhe për vende të tjera. Në bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese britanike, për vitin 2023, dua të informoj Ministrin Sveçla se kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë, për motive nga më të ndryshmet, si: qëndrim ilegal; kultivim të bimëve narkotike; refuzim azili; falsifikim dokumentacioni; vjedhje apo vepra të tjera kriminale. Për vitin 2024, kemi kryer deri tani 9 operacione me 1108 shtetas të riatdhesuar”, nënvizoi Balla.
Ministri shqiptar deklaroi se palëve iu lind detyrë, të punojnë shpejt e fort, për të pasur rezultate pozitive për ndalimin e emigracionit të paligjshëm të shtetasve shqiptare drejt Britanisë së Madhe.
“Këto rezultate janë pa dyshim fillim i mirë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur që ky progres të jetë i pakthyeshëm dhe po ashtu është një shembull i mirë i amplifikimit të këtyre rezultateve edhe në bashkëpunim me vende të tjera të rajonit, sikurse është i mirëpritur rasti i Republikës së Kosovës. Prania e ministrit Sveçla në këtë takim është mesazhi më domethënës për vijimin e intensifikimit të bashkëpunimit brenda nesh, në një nivel trilateral tashmë, për të luftuar fenomene, të cilat nuk njohin kufij si krimi i organizuar apo migracioni i paligjshëm. Ne duhet të vijojmë konsolidimin e këtyre rezultateve duke ritheksuar nevojën për mbështetje logjistike me pajisje, për të cilat jam gjithmonë falënderues ndaj palës britanike, dhe që janë në proces vlerësimi, kryesisht me nevojat që lidhen me Departamentin e Policisë Kriminale, të cilat do të rrisin cilësinë e bashkëpunimit dhe do të kontribuojnë në arritjen e rezultateve edhe më të mira”, u shpreh Balla.
“Me kënaqësi kam pranuar ftesën e mikut dhe homologut tim ministrit Balla, për të bashkuar forcat që të rezultojnë suksesshëm në përpjekjet tona për luftimin dhe frenimin e migrimit të parregullt. Policitë tona gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer ku përveç fushave specifike përfshihet edhe bashkëpunimi i përbashkët operacional, patrullimet e përbashkëta për luftën ndaj çdo lloj ilegaliteti ndërkufitar. Tek sa kemi krijuar lehtësira për kalimin kufitar midis dy vendeve tona, angazhohemi për kufij të sigurt për vendet tona dhe vështirë të kalueshme për individë apogrupe kriminale që cenojnë sigurinë e vendeve tona. Në çdo forum rajonal apo qoftë dhe më gjerë, si ministër i Punëve të Brendshme kam shprehur gatishmërinë e plotë të institucioneve tona për krijimin e mekanizmave konkretë si ky që jemi sot, ku diskutojmë mbi veprimet tona të mëtejshme në menaxhimin dhe luftimin e migracionit të paligjshëm”.
“Sfidat për vitin e ardhshëm do të jenë ndërtimi i të ardhmes mbi këtë sukses, që është rezultat i mekanizmave që kemi krijuar, kryesisht i “Task Forces” së përbashkët për migracionin. Task Forca filloi si një organizëm bilateral mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht me fokus emigracioni ilegal e tani kemi rastin ta zgjerojmë me një skemë më të zgjeruar gjatë vitit që vjen. Nuk do të jetë vetëm emigracioni ilegal, por do të jetë një rast për të forcuar marrëdhëniet bilaterale, si mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, por edhe mes Shqipërisë e Kosovës. Është një marrëdhënie strategjike shumë e rëndësishme, jo vetëm në fushën e krimit të organizuar por gjithashtu në zona të përgjithshme të sigurisë dhe mbrojtjes në përgjithësi”, tha Koordinatori Special i Qeverisë britanike për Emigracionin e Paligjshëm, Stuart Skeates.
Kjo konferencë e radhës e mbajtur në Tiranë është vijimësi e takimit të mbajtur në shtatorin e kaluar në kuadër të Procesit të Berlinit për Çështjet e Brendshme, dhe synon reflektojë mbi qasjet gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt zgjidhjeve për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin në Ballkanin Perëndimor dhe për të parandaluar kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
(Arena e Lajmit)