Si rezultat i kontrolleve në terren dhe bashkëpunimit me inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, goditen raste të prerjes së kundërligjshme të pyjeve në parqet kombëtare “Shebenik” dhe “Gavadec”.
Vihet në pranga 1 shtetas dhe punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij 16 vjeç.
Në banesën e të arrestuarit u gjet një sasi drush për zjarr që dyshohet se janë prerë në këto parqe, në kundërshtim me ligjin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd, në vijim të kontrolleve gjatë ditës dhe natës, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, në bashkëpunim me inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, kanë evidentuar dhe goditur disa raste të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Për to, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. B., 58 vjeç dhe u shpall në kërkim një 16-vjeçar, të dy banues në fshatin Rrajcë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, gjatë muajve mars dhe prill 2024, kanë prerë dru për zjarr, në zonat e mbrojtura të parqeve “Shebenik” dhe “Gavadec”.
Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit Sh. B., u gjet lëndë drusore, e dyshuar e përfituar në kundërshtim me ligjin.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë 24/7, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.