Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, i ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar vendimin e fundit të gjykatës për të mos liruar nga arresti në shtëpi klientin e tij.
Gjokutaj u shpreh se procesi ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës.
Ai shtoi se prokurorët nuk kanë artikuluar fabulën e çështjes dhe për më tepër kanë kërkuar edhe zgjatje të afatit pa kryer veprimet e duhura.
Sipas tij gjithë këto skenarë kërkojnë djegien e mandatit të deputetit që Berisha gëzon, si edhe largimin e tij përfundimtar nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme.
“Ne duhet të shpjegojmë se çfarë ndodh. Procesi i goditjes ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës. Por që të realizohet ky skenar me drejtësinë nuk bëhet me një SPAK objektiv dhe një GJKKO të pavarur. Njerëzit janë zgjedhur me dorë. Vendimi i sotëm ishte i pritshëm për ne. Synohet djegia e mandatit të Berishës. Berishën e kanë kërkuar në komisionin për TIMS dhe menjëherë e tërhoqën po me urdhër politik. Për më tepër fabula e çështjes nuk është artikuluar nga prokurorët, kush korruptoi kë. Çdo ngjarje ka mekanizmin si është vepruar. Në fund fare pastaj, pa kryer asnjë veprim hetimor kërkojnë edhe zgjatje afati. Zgjatja bëhet kur ke konsumuar çdo afat dhe nuk ke kryer veprimet e domosdoshme. Këta kanë kërkuar zgjatje pa kryer veprime. Gjithë këto skenarë të çojnë në një pikë, djegia e mandatit të Berishës dhe largimi i tij nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.