Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka, ka deklaruar se masat e marra ndaj drejtorit të Policisë Ervin Muça, janë drejtësi me regji.
Ai shtoi se të dhënat e marra nga sistemi TIMS, iu shitën grupeve kriminale për të kontrolluar rivalët e tyre.
“Ata që janë partnerë në krim mbrojnë njëri-tjetrin derisa të bien të gjithë bashkë dhe kjo dite po afron”, tha Noka.
DEKLARATA E PLOTË:
Masa e pezullimit nga puna dhe ‘arrestit në shtëpi’ ndaj Ervin Muçës, është prova e radhës se në Shqipëri është instaluar ‘drejtësia me regji’.
Ervin Muça u arrestua, jo se prokurorët nuk i kishin faktet, por se arrestimi i tij duhet bërë për të shpëtuar shefin e tij, Taulant Ballën.
Nëse Tusha është ‘kokë turku’ për Veliajn dhe Ahmetaj për Ramën, Ervin Muça shërben si i tillë për Taulant Ballën.
Ervin Muça ka ardhur në krye të Departamentit IT në Policinë e Shtetit disa ditë para emërimit Ministër i Brendshëm të Taulant Ballës.
Sipas denoncimit të ekspertit të IT Gent Progni, Muça sapo erdhi, urdhëroi verbalisht punonjësit e databazës dhe serverave të kryejnë eksportim të bazës së të dhënave të TIMS, në një hard-disk të jashtëm, përfshirë këtu hyrje-daljet e personave, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista terroristësh, gjobat e makinave, informacion territorial sekret, etj.
Refuzimit të punonjësve, Muça, në stil tipik mafioz, i gjeti zgjidhjen duke marrë një kompani nga jashtë të quajtur Soft Solution dhe bëri eksportimin ilegal të të dhënave.
Grabitësit e TIMS, me “porosi nga lart”, janë paraqitur si punonjës IT të QKB dhe të një kompanie tjetër të quajtur Horizon, me lidhje të dyshimta në Qipro, një parajsë fiskale. Kjo grabitje e të dhënave sensitive policore nga një person në atë kohë pa certifikatë sigurie dhe i pavetuar, pavarësisht denoncimeve të PD dhe ekspertëve, ra në vesh të shurdhër. Një vit më vonë ka ardhur urdhër-arresti kur në fakt, bashkë me të duhet të ishte sponsori dhe shefi i tij në krim, Taulant Balla.
Ervin Muça është i njëjti hajdut me çizme i Rilindjes që vodhi edhe sistemin e pagave nga Drejtoria e Tatimeve kur punonte aty dhe i bëri publike.
Të dhënat e qytetarëve shqiptarë të marra nga TIMS janë përdorur për t’ua shitur grupeve kriminale për të kontrolluar rivalët e tyre.
Emërimi i tij nga Taulant Balla, porosia që të merrte të dhënat e sistemit TIMS, duket sërish edhe te pezullimi i tij dhe urdhri i arrestit shtëpiak nga Prokuroria e Tiranës. Vepra e kryer prej tij dhe porositësve të tij është qartësisht nën juridiksionin e SPAK. Jo vetëm si përfshirje e lartë shtetërore, por edhe për objektin e hetimit, që janë të dhënat sensitive të sigurisë kombëtare.
Arrestimi i Ervin Muçës është kryer nga drejtësia me regji për të shmangur rënien në pranga të një tjetër ministri të Edi Ramës. Me rënien e ministrit të Brendshëm, bie edhe qeveria dhe këtë Edi Rama nuk mund ta pranojë.
Këtë as drejtësia medemek e re nuk mund ta pranojë.
Ata që janë partnerë në krim mbrojnë njëri-tjetrin derisa të bien të gjithë bashkë dhe kjo dite po afron.
Faleminderit!