Policia e Tiranës dhe Forcat “Shqiponja” kanë arrestuar dy persona, pasi terrorizonin qytetarët, teksa qëllonin me armë zjarri në automjet.
Në pranga kanë rënë dy 21-vjeçarët A. A. dhe A. B., si dhe është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.
Arrestimi i të rinjve është kryer në kuadër të operacionit “Permission”, prej ku ka rezultuar se njëri prej të arrestuarve kishte shkelur masën “Arrest në shtëpi”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në rrugën “Hasan Alla”, po lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Permission”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– A. A., 21 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
-A. B., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit të mjetit me të cilin po qarkullonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.
Gjatë verifikimeve ka rezultuar se shtetasi A. A. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Arena e Lajmit