Kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri do të kandidojë për eurodeputet për partinë “Demokracia e re” me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Kështu shkruan gazeta greke “Kathimerini”.
Mediat helene shkruajnë se Beleri do të jetë kandidat në listën që pritet të publikohet pasditen e kësaj të hëne, 15 prill, nga partia e kryeministrit grek.
Ekathemerini raporton se deri në mëngjesin e kësaj të hëne janë caktuar 41 nga 42 kandidatët e “Demokracisë së Re”, ku e vetmja çështje pezull është konfirmimi për futjen në listë të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ai së bashku me bashkëpunëtorin e tij në fushatë elektorale Pandeli Kokaveshi janë dënuar nga Shkalla e Parë e GJKKO-së për veprën penale të shit-blerjes së votave.
Beleri nuk e ka marrë dot detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk ia kanë mundësuar dhënien e lejes së posaçme për ta kryer betimin.
(Arena e Lajmit)