Bashkia e Tiranës dhe ambasada franceze në Shqipëri nënshkruajnë marrëveshjen në fushën e industrive kreative, Veliaj: Do sjellë frymë dhe energji të re për kryeqytetin

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard. Në fokus të takimit ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën dixhitale dhe inovacionit, që sipas kryebashkiakut Veliaj do të sjellë një frymë dhe energji të re sa i përket bashkëpunimit mes Tiranës dhe Parisit. Veliaj shtoi se konkretizimi i këtyre iniciativave është në vazhdën e angazhimeve të ndërmarra pas vizitës që presidenti i Francës zhvilloi në kryeqytetin shqiptar dhe rikthimit të vizitës së kryeministrit Rama në Paris. Sipas kryebashkiakut, Bashkia e Tiranës do të jetë përgjegjëse për disa prej aktiviteteve të dakordësuara mes palës shqiptare dhe asaj franceze, mes të cilave iniciativa për krijimin e “Kubit Francez”, i cili do të ketë aktivitetin e tij tek Piramida e Tiranës.

“Një energji fantastike, e cila filloi me vizitën e Presidentit Macron, pastaj nga tetori në prill u bë një punë e jashtëzakonshme nga qeveria shqiptare dhe rikthimi i vizitës së kryeministrit Rama në Paris ishte gjithashtu një histori suksesi, që tani duhet zbërthyer në nivelet më të vogla. Ne në Tiranë jemi përgjegjës për disa prej aktiviteteve që kemi dakordësuar. Ne jemi përgjegjës për Kubin Francez, i cili do ta zhvillojë aktivitetin te Piramida e Tiranës dhe do të jetë një kompeticion shumë interesant mes kubeve që kanë jetën e tyre, aktivitetin e tyre, kalendarin e tyre, ndaj dhe vërtet jam entuziast që Kubi Francez do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u njohur më shumë me Francën, me kulturën, me artin, por edhe me filmin, por edhe me librat, me poezinë edhe sidomos me punët digjitale”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku vuri theksin tek bashkëpunimi me ambasadën franceze për konkretizimin e dy iniciativave të tjera. Agjencia e Industrisë Kreative në Tiranë do të institucionalizojë një bashkëpunim me kolegët francezë, për të mundësuar që fëmijët e të rinjtë e kryeqytetit të shijojnë shfaqjen e filmave dhe kineastëve francezë në ambientet e kinema “Agimi”. Ndërkohë, një tjetër iniciativë e rëndësishme është vendosja në mënyrë permanente e instalacionit “Micro-folie” Tirana, me koncept kryesor edukimin dhe argëtimin e fëmijëve dhe të rinjve në ambientet e Piramidës.

“Më vjen mirë që tani institucionalizojmë këtë bashkëpunim me Francën, me shpresë do kemi një ditë filma të denjë, jo vetëm që të marrin pjesë, por edhe të fitojnë në Kanë. Shpresoj që gjithë këtë energji fantastike që është mbledhur tek kinema “Agimi”, bashkë me këtë ferment kreativ që vjen nga Franca, mund ta kthejmë në një histori suksesi. “Micro-folie” ishte një eksperiment i suksesshëm. La Villette, kompania ose agjencia publike që e ka këtë koncept, “Micro-folie”-në, pas këtij eksperimenti do përfshihet për ta pasur në mënyrë permanente këtë për fëmijët tek Piramida”, theksoi kreu i Bashkisë.

Veliaj vlerësoi dhe u shpreh entuziast për raportin special mes dy kryeqyteteve, teksa përmendi faktin se në fillim të muajit maj do të ketë një takim me kryebashkiaken e Parisit Anne Hidalgo, për të fuqizuar edhe më tej urat e bashkëpunimit mes Francës dhe Shqipërisë.

“Do të kemi një vizitë në fillim të majit në Paris, me kryebashkiaken Hidalgo, per shumë prej atyre iniciativave që kanë ndodhur në Paris, siç ka qenë pedonalizimi i Senës apo Rue de Rivoli. Ne kemi bërë pedonalizimin e Sheshit “Skënderbej”, të Pazarit, të Kalasë. Kjo do të thotë se qytetet pavarësisht se Parisi ka një histori mijëvjeçare, shekullore, Tirana pak më modeste, prapë qytetet mund të kalojnë etapat dhe të kapin atë që sot është moderne, sot praktike dhe sot sjell zhvillim për qytetet”, tha Veliaj.

Nga ana e saj ambasadorja franceze, Catherine Suard vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Për ambasadoren Suard, konkretizimi i këtyre nismave do të mundësojë forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes Francës dhe Shqipërisë.

“Jam entuziaste për faktin, që niveli i bashkëpunimit, i marrëdhënieve mes Francës dhe Shqipërisë është tejet i shkëlqyer, është gjallëruar, forcuar, pasqyruar përmes vizitës së dyfishtë që Presidenti Macron zhvilloi në vjeshtën e kaluar dhe së fundmi vizita e kryeministrit, Edi Rama në Paris, së cilës ne kërkuam t’i jepnim të gjithë dimensionin e saj konkret, përmes bashkëpunimeve direkte mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Parisit. Erioni do të ritakojë Anne pas disa ditësh, por gjithashtu edhe ne, ambasadat respektive, ne duam që atë “strehë” që na ofroi me shumë bujari kryeministri, ne ta kthejmë në një Hub dixhital, për promovimin e kulturës dhe shkëmbimeve franko-shqiptare, në fushën dixhitale. Në këtë aspekt, kemi dashur të forcojmë më tej bashkëpunimin e deritanishëm mes Agjencisë së Industrisë Kreative në Tiranë. Bashkëpunimi sjell fuqizim të ndërsjellë. “Les Microfollies”, ku do të zhvillohen evente në mjedise të hapura; ne do të sjellim po ashtu propozime domethënëse; Tek kinema Agimi do të propozojmë disa filma, Atelier Baron, për trajnime. Gjithçka është e mundur dhe do e bëjmë të mundur. Kjo është shtysa jonë, t’i bëjmë gjërat të mundura dhe t’i konkretizojmë ato dhe ta çojmë më tej këtë bashkëpunim. Është kënaqësi e madhe për mua bashkëpunimi me ju!”, u shpreh ambasadorja.

Arena e Lajmit

Bashkia e Tiranës dhe ambasada franceze në Shqipëri nënshkruajnë marrëveshjen në fushën e industrive kreative, Veliaj: Do sjellë frymë dhe energji të re për kryeqytetin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook