Gazetari Artan Hoxha ka publikuar pamjet e pajisjes misterioze që është gjetur në ishullin e Sazanit ditët e fundit.
I ftuar në “ABC Live”, Hoxha deklaroi se kjo pajisje është gjetur nga turistë të huaj dhe se sipas tij, dyshohet se kjo pajisje mund të përdoret për spiunazh apo aktivitet kriminal.
Lajmin për gjetjen e pajisjes u bë me dije nga Eksperti i Kriminologjisë, Ervin Karamuço, i cili tha se bëhet fjalë për një pajisje elektronike shumë funksionale që përdoret që nga përgjimi e deri tek bllokimi i valëve. Karamuço shpjegoi se anijet kanë nisur rikonjicion nga Vlora për në Sarandë, duke shtuar se një pjesë të anijeve luftarake janë të NATO-s.
Gazetari Hoxha shtoi më tej se bëhet fjalë për një pajisje në formë konike, të lidhur me një panel diellor si edhe një motor të vogël me një buton që kur e shkel, nxjerr zhurmë.
Hoxha tha se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se pajisja nuk ka antenë të dërgimit të mesazheve apo të marrjes së tyre. Rrjedhimisht sipas Hoxhës, ky fakt ul mundësinë e përdorimit të saj për qëllime spiunazhi duke rritur mundësinë që të jetë përdorur nga grupet kriminale për të informuar gomonet që kalonin në zonë për trafik droge në lidhje me lëvizjen e policisë.
“Vazhdimisht, pas orës 17:00 në Sazan qëndron motovedeta e policisë si edhe punonjësi i radarit dhe prandaj është e pamendueshme që një person të qëndronte me atë pajisjen aty në bunker pa u pikasur nga punonjësi i radarit.
Kjo zonë është shfrytëzuar vazhdimisht nga grupet kriminale për transportin e lëndëve narkotike, por edhe të armëve apo njerëzve. Prandaj dyshohet se kjo pajisje mund të jetë vendosur aty për të orientuar grupet kriminale.
Sepse nëse do të përdorej celulari aty mund të pikasej dhe atëhere ata kanë gjetur këtë pajisje me zhurmë. Këtë e konfirmon edhe pozicioni që është vendosur pajisja”, tha Hoxha duke theksuar se zona përdoret shpesh nga grupet kriminal për transport të drogës.
“Ne kemi patur grupe kriminale shqiptare që kanë dërguar drogë në sasi të mëdha deri në Turqi”, u shpreh ai.