Mblidhet sot, më 29 prill 2024 në një mbledhje të veçantë Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për të diskutuar mbi “projektligj për shëndetin seksual dhe riprodhues”.
Komunitetet fetare të Shqipërisë prej disa ditësh të njohur nëpërmjet medias me një projektligj lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe mungesa e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare. Kështu nëpërmjet Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Bordi i Presidencës së KNFSH-së, i cili përbëhet nga pesë liderët e pesë komuniteteve fetare në Shqipëri ka ngritur grupin e punës me përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare me specialistë të tillë si juristë, sociologë, teologë dhe mjekë.
Gjatë takimit të sotëm grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet e tyre profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë, duke shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me efektet negative, që mund të ketë projektligji për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë përsa i përket disa ndryshimeve që parashikon në ligj në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues.
Nisur nga kjo, grupi i punës po punon fort për të nxjerrë një relacion me argumente shkencore, teologjike dhe profesionale në lidhje me këtë projektligj, dokument i cili do t’u dërgohet Komisionit të Ligjeve, Kuvendit të Shqipërisë dhe për dijeni institucioneve të tjera vendase dhe të huaja.
Në lidhje me projektligjin mund të klikoni:
https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/727
(Arena e Lajmit)