Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalimin e përnatshëm përpara mbështetësve të tij, tha midis të tjerash se dimri i gjatë i opozitës po mbaron dhe se Partia Demokratike do të kthehet në pushtet.
Pjesë nga fjala:
T’i kthehemi rrugës së integrimit europian. Ky është misioni ynë. T’i kthehemi luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Rrugës së shkallmimit të narkoshtetit, të Olsi Ramës, Edi Ramës, Xhafës, Tahirit, bandave, Don Agaçios dhe kriminelëve të tjerë në pushtet. Rrugës të shkallmimit të korrupsionit të Edi Ramës, ministrave të tij, zyrtarëve makutë që rrjepin nga mëngjesi në darkë qytetarët shqiptarë.
Në horizontin përpara duket qartë rikthimi në pushtet i Partisë Demokratike. Rikthimi i dinjitetit. Rikthimi te vlerat. Rikthimi te Familja dhe shenjtëria e saj, të cilën Edi Rama pasi fundi nocionin shkatërrimtar të Prindit 1 dhe 2, tani ka çuar ligjin e Prindit asnjë. Makabritet.
Të dashur miq. Ky dimër i gjatë opozite po përfundon. Përpara kemi një pranverë fitoreje. Përpara kemi një verë ndryshimi. Dhe ne do fitojmë sepse e provuam këto dy vite se çfarë kocke e pamposhtur jemi ne. E provuam këto dy vite se kush jemi ne shqiptarët e vërtetë. E provuam këto dy vite se çfarë luanësh jemi ne kur marrim në dorë fatin tonë, dinjitetin tonë.
E provuam këto dy vite se ne jemi shpresa e vetme e shqiptarëve. Ne do fitojmë. Sepse jemi ne shpresa, për të përtharë lotët e nënave shqiptare që janë ndarë nga fëmijët e tyre në emigrim. Ne do të fitojmë. Sepse jemi ne shpresa për ata qindra mijëra shqiptarë, që vuajnë çdo ditë diktaturën e çmimeve.
Ne do fitojmë sepse jemi vetëm ne shpresa për të përtharë lotët e ftohta të mjerimit në fytyrën e pensionistëve tanë. Ne do fitojmë sepse ne jemi shpresa e vetme për të mundur dhunën e krimit të organizuar. Për të mundur përçmimin e ministrave hajdutë të Edi Ramës, përçmimin e kryetarëve të bashkive të Edi Ramës.
Dhe poshtërimin që Edi Rama ka guxuar t’u bëjë shqiptarëve. Ne do fitojmë sepse ne jemi shpresa e vetme për pluralizmin dhe demokracinë. Ne do fitojmë sepse Edi Ramën sot po e sheh gjithë bota se cili është ai dhe se çfarë përfaqëson.