Partizani fitoi derbin me Tiranën, por pas një lufte të ashpër ka gjithnjë edhe humbje lojtarësh për dëmtime apo pezullime. Kundër Skënderbeut, Shehit do t’i duhet të bëjë pa tre titullarë fiks. Andi Hadroj u ndëshkua me karton të kuq në harkun e pak minutave dhe vulosi mungesën e tij në sfidën e radhës kundër Skënderbeut. Pukjani sapo ishte kthyer nga dëmtimi, por do të duhet të ndalet sërish. Në fakt ai e vulosi mungesën kundër korçarëve që me të verdhin e parë, pasi plotësoi numrin 4 të tyre. Tashmë në listën e kartonëve ai numëron tre të verdhë, pasi kartoni i kuq i zhvlerëson dy të verdhët që mori në derbi. Si pasojë, pukjani planifikon rikthimin në sfidën kundër Kukësit. Në vend të tij pritet të luajë një mes Muratajt dhe Zekollit, me kapitenin më të avantazhuar. Lajmi i mirë është rikthimi i Atanaskoskit, që shleu në derbi pezullimin e 4 kartonëve.
DËMTIMET – Gjelbrim Taipi dhe Tedi Cara janë shndërruar në një shqetësim jo të vogël për Partizanin, në një kohë kur gjysmëfinalja e parë e “Final 4” është planifikuar më 17 maj dhe e dyta më 19 maj. E nisim me lajmin disi më të mirë. Pas ekzaminimeve, ka rezultuar se Taipi ka pësuar kontraktim muskulor deri në tërheqje të gradës së parë. Ky dëmtim në kushtet normale kërkon një kohë rikuperimi prej rreth 10 ditësh. Mesfushori mund të kthehet në sfidën e fundit të kampionatit kundër Erzenit, teksa nuk rrezikon gjysmëfinalen e parë të “Final 4”. Ndryshe ndodh me Tedi Carën. Sulmuesi, që la fushën pas vetëm 23 minutash lojë, ka rezultuar të ketë një tërheqje të gradës së parë, në kufijtë e së dytës. Kur kanë mbetur edhe dy javë e gjysmë nga gjysmëfinalja, mund të themi se Cara riskon seriozisht që të mos jetë në gjysmëfinale. Dëmtime të tilla kërkojnë rreth tri javë kohë rikuperimi, me kavajasin, që do të ishte i gatshëm vetëm në rast se ekipi kalon në finale. Gjithsesi, gjithçka mbetet në kuadrin e parashikimeve dhe në vijim do të mbetet të shihet ecuria e rikuperimit.