Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dalë nga dyert e Prokurorisë së Posaçme pas rreth 8 orësh ku ka dëshmuar për aferën e inceneratorëve. Veliaj theksoi për mediat se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se gjatë marrjes në pyetje ishte ezauruar plotësisht çështja e inceneratorëve.
“Falënderoj kolegët e SPAK. Një institucion me të cilën unë nuk kisha të bëja përpara por që pas këtij takimi ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari në Shqipëri. Është krijuar një institucion serioz. Isha me dy kolegë hetues profesionist të disiplinuar dhe unë them që e vetmja gjë që mund të bëjmë është të mos përgojojmë institucionet, por t’i forcojmë. Isha këtu si bashkëpunëtor.
Kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Po diskutonim sot orën 9 me 10 pasi kishte edhe një seancë tjetër. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Gjithë shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekti i IFC, i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish-bashkia me 37 euro toni. Ky proces ishte komplet gjë tjetër, e pa kërkuar nga investitor të tjerë dhe që nuk kishin lidhje me bashkinë e Tiranës dhe që nuk kishin lidhje me IFC. Sigurisht që u thanë edhe disa detaje të tjera.
Të dy kolegët hetues më kërkuan që për çështje të sekretit hetimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka sjellë edhe disa prova të tjera, mu kërkua që të mos i ndaj me gazetarët. Sigurisht do të jenë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi ndihen më të lehtësuar. Pata mundësinë që të them fjalën time. Besoj edhe armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar. Njeriu duhet gjykuar edhe nga armiqtë të bën dhe jo vetëm nga punët që bën.