Maget Gueje edhe një herë na dhuroi nga spektakli i tij në derbin e së dielës mes Partizanit dhe Tiranës, duke shënuar dy gola dhe fituar i vetëm betejën e “Air Albania”-s, e mbyllur 1-2.
Me këtë fitore “demat” ushtrojnë presion asfiksues kundër Vllaznisë për vendin e dytë, teksa “Final 4” duket i hipotekuar tashmë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 21-vjeçari nga Senegali nuk e fsheh gëzimin për golat. Mesfushori pranon se Tirana është rivali i tij i preferuar, por nuk e fsheh respektin për kundërshtarin. Sipas Maget, ky sezon do të ishte perfekt për të vetëm nëse në fund do të festonte titullin kampion. I riu shpjegoi edhe festën e golit të dytë, ku u afrua pranë tifozëve ultras të Tiranës.
Magi, dy gola dhe një fitore si një dhuratë nga ana juaj për shtëpinë e kuqe. Sa i lumtur jeni me atë që bëtë në fushën e lojës?
Po, jam shumë i lumtur që shënova dy golat dhe falë Zotit i dhashë skuadrës tri pikë shumë të rëndësishme. Ishte një fitore shumë e nevojshme për të vijuar luftën tonë për vendin e dytë në katërshe. Shpresojmë që edhe ndeshjet e mbetura të shkojnë në të njëjtën mënyrë dhe të plotësojmë objektivin që klubi ka vendosur.
Tre gola kundër Tiranës në këtë sezon. A janë ata rivali juaj i preferuar?
Ndoshta është siç thoni ju, sepse kam arritur të shënoj tri herë brenda këtij sezoni kundër tyre, por unë e respektoj Tiranën. Është një skuadër e madhe dhe ka lojtarë shumë të mirë në organikën e vet.
Zgjodhët ta festonit golin e dytë përballë tifozëve bardheblu. Përse bëtë këtë zgjedhje dhe a ishte pak e rrezikshme?
Jo, nuk mendoj se isha i rrezikuar, sepse nuk u interesova për ta, thjesht shkova në cepin e fushës për të festuar golin tim me pjesën tjetër të skuadrës, asgjë më tepër.
Konsiderohet ky si sezoni juaj më i mirë dhe ajo e së dielës si mbrëmja më e bukur?
Mendoj se kam zhvilluar paraqitje të denja për ta quajtur një sezon shumë pozitiv, por ende nuk është perfekt. Do të duhet fitimi i titullit kampion për ta quajtur një sezon të tillë. Kanë mbetur edhe pak ndeshje, jemi tërësisht në lojë dhe shpresoj që të vijojmë ta mbajmë ne kurorën e kampionit të Shqipërisë.
I dhuruat fitoren Partizanit, por mbeteni të tretët, sepse edhe Vllaznia u kthye te tri pikët. Mendoni se do ta mbyllni të dytët?
E pamë fitoren e Vllaznisë, por ne nuk përqendrohemi te rezultatet e kundërshtarit. Fillimisht duhet të fitojmë ndeshjet tona. Kemi edhe tri ndeshje në vazhdim, të cilat duhet t’i fitojmë me patjetër dhe më pas të shpresojmë që Vllaznia të lërë pikë rrugës që ne të rrëmbejmë vendin e dytë dhe të kemi avantazhin e barazimit në “Final 4”.
Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për aspektin emocional. Ndihet Partizani më me shumë vetëbesim tani?
Derbi vlen gjithnjë edhe për anën emocionale dhe rritjen e besimit. Nga ana tjetër na vlen edhe për t’i bërë presion Vllaznisë, që të humbasë pikë në sfidat e mbetura.
Çfarë do të ndodhë me të ardhmen tuaj? A do të kemi një transferim të madh në verë?
Ndoshta po, ndoshta jo. Nuk e di ende çfarë do të ndodhë. Më duhet që të përqendrohem fillimisht te fusha dhe në fund të sezonit do të shohim me kujdes se çfarë do të ndodhë.