Kryeministri Edi Rama ka uruar punëtorët për ditën e 1 Majit.
I pranishëm në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome në Elbasan Rama tha se urimi i tij shkonte për çdo njeri të punë, që të ketë bekime, shëndet e vetëm sukses.
“Më vjen mirë që sot në këtë ditë të shënuar të 1 Majit të jem këtu e të përfitoj nga rasti e drejtëpërdrejtë me zë ti uroj të gjithë njerëzve të punës, ata që besojnë tek puna, e bashkojnë forcat në punë. Të gjithë njerëzve që përmes punës po provojnë se asgjë nuk është e pamundur në këtë vendin tonë të bekuar e po bëjnë sukses që nga majat e maleve e deri poshtë në fushat e begata të Shqipërisë. Urimi im është që çdo njeri i punës të ketë bekime, shëndet e vetëm sukses”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe në lidhje me turizmin, ku tha se sezoni i ardhshëm pritet të jetë perfekt.
“Do të kemi një sezon më të mirë për ujërat larës, me vendosjen e një mase drastike për sipërmarrjet në fushën e hotelerisë dhe industrisë së mikpritjes kemi bindje se sezoni i ardhshëm do të jetë perfekt”, tha ai.