Tre javë përpara fundit, Tirana e sheh veten jashtë “final-four” pas humbjes në derbi kundër Partizanit, por matematikisht janë totalisht në lojë, por tashmë fati nuk është vetëm në dorën e tyre. Bardhebluve i duhet një mrekulli për të shpëtuar këtë sezon, por më parë duhet me çdo kusht të dalin me tre pikë nga sfida me Laçi:
“Gjendja e ekipit është e mirë, kemi një dëmtim të Latifit, kemi dy mungesa për shkak kartonësh, Jonuzi dhe Lushkja. Pjesa tjetër është e gatshme për sfidën. Ajo ndeshje tashmë është e kaluar, sigurisht na erdhi keq për pikët e lënë, por kemi edhe 3 ndeshje të tjera po aq të rëndësishme sa derbi. Do të bëjmë maksimumin për të marrë pikët dhe për të arritur objektivin.
Ne nuk po bëjmë llogaritë çfarë ka kaluar, do mendojmë për nesër, shpresoj të marrim 3 pikët dhe të arrijmë objektivin. Ne do bëjmë punën tonë, se çfarë bëjnë kundërshtarët kjo do shihet në fund, e rëndësishme është që skuadra të bëjë maksimumin. Ne shikojmë përpara, është shumë e rëndësishme ndeshja në Laç për të menduar për Vllazninë dhe Egnatian. Në çdo javë që do të luajmë çdo skuadër ka objektivin e saj, nuk ka kundërshtar të lehtë. Çdo lojtar luan për veten e tij dhe për skuadrën”, deklaroi Fagu.