Tirana dhe Vllaznia barazuan pa gola në “Air Albania” në Klasiken e Shqipërisë, rezultat ky që nuk i shërben asnjëres prej skuadrave, sa i takon objektivave në elitë. Ndeshja nisi me ritëm të ulët, me të dy skuadrat që preferuan të studiojnë njëra-tjetrën, duke mos rrezikuar shumë. Në minutën e 6-të, Patrik provoi me të djathtën, gjithsesi asgjë për t’u shqetësuar për mysafirët, me topin që shkoi jashtë.
Rasti i parë serioz i ekipit të Bërdariç erdhi në minutën e 25-të, krosimi i Ajdareviç për Pusin nuk u shfrytëzua si duhet, pasi ky i fundit s’gjeti koordinimin perfekt. Shkodranët rritën presionin duke detyruar kundërshtarin të bëjë edhe gabime, një top shkoi për mrekulli te Ajdareviç në zonë, gjuajtja e tij la për të dëshiruar.
Në të 37-tën dhe të 39-tën, Hoxhallari tentoi të zgjidhë ndeshjen në të mirë të bardhebluve, dy goditjet e tij nga nga distanca shkaktuan drithërima, por vetëm kaq.
Në të 41-tën, Vllaznia pati rastin e artë për të kaluar në epërsi, Smajli shpërdoroi gjithçka me portën bosh.
Edhe në pjesën e dytë rastet nuk munguan, emocionet gjithashtu, por rezultati mbeti i pandryshuar. Në minutën e 73-të, nga fare pranë portës, Rimal Haxhiu bëri më të vështirën, duke mos çuar dot topin në rrjetë.
Me këtë rezultat, Vllaznia është në vendin e 3-të me 59 pikë, ndërsa Tirana në pozitën e pestë me 47 pikë.
Aktualisht vendi i katërt që të çon në “Final Four” mbahet nga Skënderbeu, me korçarët që barazuan 1-1 me Laçin, duke bërë që kurbinasit të jenë zyrtarisht në “Play Out” për mbijetesën. Në takimet e tjera, Partizani mundi 0-1 Kukësin, Egnatia kaloi 0-1 Dinamon, sakaq Erzeni-Teuta u mbyll 0-3.
(J.S/)