Roma, Murinjo luan stolin në Tiranë/ Klubi italian mbërrin më 23 maj në Shqipëri, lojtarëve nuk u dalin nga 4 bileta

Mungojnë edhe dy javë nga finalja e Tiranës, por Roma ka filluar përgatitjet dhe është fokusuar në këtë event që mund t’i japë një kuptim këtij sezoni. Dje një delegacion i klubit roman ka fluturuar drejt Shqipërisë për një inspektim të organizuar nga UEFA për çështjet logjistike.

murinjo1

Roma do të niset drejt Tiranës ditën e hënë, më 23 maj, me çarter dhe do të vendoset në hotelin e përcaktuar nga UEFA. Në protokollin zyrtar, Roma pritet të jetë ekipi pritës. Lëvizjet e skuadrës në Tiranë do të përcaktohen nga UEFA. Roma po bashkëpunon me një agjenci që organizon udhëtime me çarter për tifozët, ku aty do të gjejnë hapësirë gratë dhe të dashurat e stafit dhe lojtarëve. Rreth 10 fluturime private do të nisen nga Roma. Problem mbeten biletat. Lojtarët janë ankuar pasi kanë shumë pak në dispozicion, vetëm 4 bileta për secilin.

MURINJO VENDOS PAS TIRANËS – Pas kërkesës dhe protestave efektive, Roma arriti që të afronte takimin me Torinon që ishte përcaktuar më 23 maj, dy ditë para finales. Tani është bërë zyrtare: do të luhet më 20 maj. Finalja e Ligës së Konferencës do të jetë edhe një çështje vendimtare për të ardhmen e teknikut Zhoze Murinjo.

murinjo

Fitimi i kupës i jep një kuptim sezonit dhe vitin që vjen Roma do të projektohet ndryshe, si një skuadër e linjës së parë që do të tentojë patjetër pjesëmarrjen në Champions. Në lidhje me të ardhmen vetë portugezi është shprehur: “Klubi nuk më ka ofruar një zgjatje të kontratës, si dhe nuk më ka vënë në pozitën që të jap një përgjigje. Kjo është arsyeja pse është një moment i qetë, i ekuilibruar. Thjesht duhet ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”.

SHANSET E KUMBULLËS – Dëmtimi i Smollingut i ka dhënë disi hapësirë mbrojtësit të Kombëtares shqiptare në mes të sezonit, por pas rikthimit të tij, Kumbulla është ulur sërish në stol dhe ka luajtur me minuta të reduktuara. Kjo, edhe nga parapëlqimi që ka Zhoze Murinjo për mbrojtësin anglez, për të cilin së fundmi tha:

“Ai njihet në Itali si Smalldini, gjysma Smalling, gjysma Maldini. Ai po bën gjëra të mrekullueshme për ne”, u shpreh tekniku. Gjithsesi, çdo gjë do të varet edhe nga skema që ai do të aplikojë në finale dhe ndoshta, pse jo, mund të shohim edhe Kumbullën nga minuta e parë në Tiranë.

KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit


Roma, Murinjo luan stolin në Tiranë/ Klubi italian mbërrin më 23 maj në Shqipëri, lojtarëve nuk u dalin nga 4 bileta

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook