Investigimi nga BIRN: Investimi në një restorant francez ngre hije dyshimi mbi ministrin e Shtetit

Natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor 2023, një grup zyrtarësh u mblodhën për të trokitur gotat tek “The Home” – një restorant komod i frymëzuar nga bistrot pariziene në zemër të Pazarit të Ri në Tiranë. Darka përbëhej nga 55 persona dhe u pagua nga Bashkia e Tiranës me një faturë prej 236 mijë lekësh në total.

Restoranti “The Home” ndodhet në një vilë të rinovuar dykatëshe me një oborr të vogël që rrihet nga dielli, një ambient i rehatshëm për darka me miq ose festa të rezervuara familjare. Restoranti premton gjithashtu një përvojë gastronomike me produktet e brumit, kuzhinën eksperimentale, ëmbëlsirat dhe një listë të gjatë verërash portugeze. Por menuja e pasur nuk duket arsyeja e vetme që i mblodhi zyrtarët e Bashkisë në “The Home” – Shtëpi.

Edhe pse njihet prej shefit të kuzhinës, Ledion Çollaku, The Home është në pronësinë familjare të Arbjan Maznikut dhe Endri Fugës; i pari ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës që mban sot postin e ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore dhe i dyti këshilltari jetëgjatë i kryeministrit Edi Rama dhe drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim. Në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, kompania është regjistruar në pronësinë e bashkëshorteve të tyre, Marinela Lika me 50% të aksioneve dhe Besa Fuga me 50%.

Festa e Vitit të Ri nuk ishte darka e parë e bashkisë së Tiranës e organizuar në restorantin “The Home” dhe shpenzimi i parave publike në restorantin e bashkëshortes, gjatë kohës që ai ishte nënkryetar bashkie, përbën sipas ligjit konflikt interesi për Maznikun.

Megjithatë, pritjet dhe përcjelljet nuk janë e vetmja lidhje e restorantit me bashkinë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se një tjetër kompani e lidhur me restorantin “The Home” ka fituar tendera me vlerë rreth 800 mijë euro me kompaninë publike Tirana DC dhe Bashkinë e Tiranës gjatë viteve 2021-2022.

Edhe pse këto kontrata nuk janë të paligjshme, ato ngrejnë dyshime për një konflikt interesi në dukje për ish-nënkryetarin e bashkisë dhe ministrit aktual të shtetit për Qeverisjen Vendore.

Tirana DC është një shoqëri aksionere në pronësi të Bashkisë së Tiranës, e cila u drejtua fillimisht nga Redi Molla dhe më pas nga Mariglen Qato, dy drejtorët e arrestuar me akuzën e përfitimit të miliona lekëve para publike përmes kompanisë “5D Konstruksion”, që sipas Prokurorisë së Posaçme, kontrollohej prej tyre. Molla dhe Qato i mohojnë akuzat.

Mazniku ka mbajtur gjithashtu një pozicion të rëndësishëm në kompaninë Tirana DC si kryetar i Këshillit të Administrimit.

I pyetur nga BIRN, Mazniku mohoi të kishte dijeni për aktivitetet e Bashkisë së Tiranës në restorantin e bashkëshortes së tij si dhe për tenderat e dhënë nga kompania publike, Tirana DC.

“Me elementët operacionale të kompanisë Tirana DC nuk jam marrë kurrë. Nuk kam dijeni dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur,” tha Mazniku duke përjashtuar dyshimet për konfliktin e interesit.

“Nëse kam përgjegjësi, është që Bashkia e Tiranës ka bërë aktivitete te restoranti,” shtoi ai.

“I run the place”

Në sektorin e mbipopulluar të bareve dhe restoranteve në Tiranë, The Home dhe shefi i saj i kuzhinës, Ledion Çollaku përfaqësojnë një markë që i ka rezistuar kohës. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, Çollaku ka hapur fillimisht biznesin në vitin 2009 me emrin The Home Social Club.

Në vitin 2018, Çollaku themeloi kompaninë “The Home” bashkë me motrën e tij, Majela Smakaj dhe e zhvendosën biznesin në zonën e rinovuar rishtaz të Pazarit të Ri. Por dy vjet më vonë, ata vendosën që ta shisnin biznesin për një çmim prej 1 milionë lekësh te Marinela Lika dhe Besa Fuga.

Çollaku vazhdoi gjithsesi të punonte si administrator dhe të menaxhonte aktivitetin e përditshëm të restorantit.

Në profesion, Çollaku përdor emrin e pagëzimit Françesko dhe i përngjan një shefi tipik kuzhine me disa kilogramë të tepërt në trup dhe një buzëqeshje të përmbajtur në fytyrë.

Në oborrin e restorantit të tij në një të shtunë me diell në prill, ai tregoi se kishte studiuar në jug të Francës dhe në Paris për të bërë brioshë të shijshëm me aromë gjalpi. Në kuzhinën e tij gatuhet pothuajse gjithçka, por vetë ai preferon evolucionin e ushqimit tradicional shqiptar si dhe ëmbëlsirat për “precizionin e lartë” të gatimit.

Çollaku tregoi gjithashtu se restoranti ishte pasioni i tij, por u detyrua që ta shiste për shkak të krizës financiare të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Mazniku, një i njohur i hershëm që nga koha e gjimnazit dhe klient i ushqimit të porositur në kohën e pandemisë, ishte ofruar për ta ndihmuar.

“Unë e dashuroj këtë punë dhe mendova si ta shpëtoja,” tha Çollaku kur u pyet për shitjen e biznesit. “Ata u treguan të gatshëm që të më ndihmonin dhe të më jepnin një dorë,” shtoi ai.

I pyetur për çmimin e shitjes prej vetëm 1 milion lekësh, Çollaku tha se blerësit e rinj ndihmuan edhe me shpenzime të tjera, si psh. pagesën e qirasë.

Por ai nuk ndjehet sikur gjërat kanë ndryshuar.

“I run the place,” tha Çollaku në anglisht, ndërsa shtoi se pronarët e rinj vinin ndonjëherë për “darka familjare”.

Katër vjet pas blerjes së biznesit nga bashkëshortja e tij, Mazniku tha se sipërmarrja kishte rezultuar e pasuksesshme.

“Restoranti ka qenë me humbje dhe ato nuk ia dolën ta ngrinin,” tha ai.

Tenderat e Tirana DC

Shoqëria Tirana DC është e vendosur në dy kate të një pallati të ri në rrugën “Bardhok Biba” – një zonë e qetë dhe e shtrenjtë e kryeqytetit që shtrihet paralelisht me bulevardin “Zogu i Parë”. Megjithatë, një sallë e madhe në katin e parë është e shpërdoruar si magazinë; karriget dhe tavolinat janë hedhur rrëmujshëm mbi njëra-tjetrën, ndërsa kabujt elektrikë shtrihen përtokë.

Tirana DC u krijua në vitin 2020 si një shoqëri aksionere në pronësi 100% të Bashkisë së Tiranës për të zhvilluar pasuritë e paluajtshme publike përmes kapitalit shtetëror ose bashkëpunimit me sektorin privat. Sipas akteve të regjistrimit në QKB, kryebashkiaku Erion Veliaj emëroi Redi Mollën si administrator të Tirana DC dhe krahun e tij të djathtë, Arbjan Mazniku në postin e kryetarit të Këshillit të Administrimit. Në shtator të vitit 2020, Molla u zëvendësua nga Mariglen Qato.

Tirana DC pati fillimisht plane të mëdha për të konkuruar në tregun e ndërtimit në Tiranë me qëllim ofrimin e shtëpive me çmime të përballueshme për klasën e mesme. Në realitet, kompania mbijetoi me borxhe, dështoi të realizonte ndonjë projekt konkret dhe me raste nuk arriti të paguante as rrogat.

Në zyrën e tij në kryeministri, Mazniku shpjegoi përballë një ekrani të madh se Tirana DC u krijua sipas një modeli të huazuar nga Bashkia e Vienës për të plotësuar një boshllëk në ligjin për strehimin social.

“Pas tërmetit dhe pandemisë doli problemi i financimit, pasi pati mungesë të resurseve,” tha ai.

Megjithatë, bilancet e dorëzuara në QKB tregojnë se Tirana DC nuk u kursye në shpenzime.

Nga rreth 180 milionë lekë të shpenzuara gjatë viteve 2020-2022, gjysma e tyre ose 90 milionë lekë shkuan për të financuar dy tendera të zhvilluar në vitin 2021.

Njëra prej kontratave me vlerë 20.4 milionë lekë kishte si objekt marrjen me qira të disa makinave nga kompania ASG në pronësinë e Gazmend Haxhisë – një partner biznesi i administratorit Redi Molla në hotelin me 5 yje që po ndërtohet në Durrës. BIRN nuk arriti të kontaktonte me Haxhinë deri në publikimin e këtij shkrimi.

Ndërsa tenderi i dytë me vlerë 70 milionë lekë u fitua nga kompania e teknologjisë “3i-Solutions” dhe kishte si objekt informatizimin e proceseve operacionale të Tirana DC.

“3i-Solutions” është një kompani e teknologjisë së informacionit e themeluar në vitin 2015 nga administratori i restorantit “The Home”, Ledion Çollaku, i cili zotëronte 50% të aksioneve. Në nëntor 2018, Çollaku ia shiti aksionet kunatit të tij, Ervis Smakaj, një inxhinier IT në profesion.

Tenderi i “Tirana DC” nuk është i vetmi i fituar nga kompania 3i-Solutions në institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2020, kompania fitoi një tender për modernizimin dhe mirëmbajtjen e numrit të gjelbër (call- center) të UKT-së, ndërsa në vitin 2022 mori përsipër ndërtimin e një platforme e-Rekrutim për menaxhimin e rekrutimit të stafit për llogari të bashkisë së Tiranës.

I pyetur për lidhjet e tij me kompanitë 3i-Solutions, Ledion Çollaku i tha BIRN se kompania ishte regjistruar fillimisht në emrin e tij pasi kunati Ervis Smakaj ishte i punësuar në atë kohë në një kompani tjetër. Ai shtoi gjithashtu se Smakaj kishte një karrierë të gjatë si IT dhe se “nuk e njihte fare Maznikun”.

Edhe Ervis Smakaj mohoi çdo lidhje me Maznikun apo favorizim të mundshëm për të fituar tenderin në kompaninë Tirana DC. Ai shpjegoi se kompania e tij ofronte shërbime përgjithësisht për kompani të huaja, por për shkak të efekteve të pandemisë, ai u detyrua që t’i hidhte sytë edhe në tregun e brendshëm.

Smakaj e përshkroi përfshirjen e kompanisë së tij në tendera publikë si një zgjedhje të detyruar për të “mbajtur njerëzit në punë”.

Arena e Lajmit

Investigimi nga BIRN: Investimi në një restorant francez ngre hije dyshimi mbi ministrin e Shtetit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook