Nga Dinamo te… Dinamo. Kukësi përballet nesër në shtëpi me kryeqytetasit, në një ndeshje ku synojnë të rikthehen te fitorja pas plot nëntë javësh, teksa e fundit i përket pikërisht përballjes që kanë pasur me dinamovitët.
Verilindorët kanë plot dy muaj që nuk provojnë shijen e fitores (prej 13 marsit), duke bërë që të rrëshqasin shumë në klasifikim dhe për momentin ta shohin veten jashtë Kupave të Europës. Nga ana tjetër, Kukësi shpreson që të marrë edhe fitoren e parë në “Kukës Arena”, pasi në dy sfidat e kaluara nuk ia ka dalë dot, duke koleksionuar një barazim me Laçin dhe një humbje me Partizanin.
SYNIMI
Fatet e Kukësit, sa i përket Europës, nuk janë më në dorën e tij, pasi duhet të shpresojë që në tri javët e mbetura të gabojnë kundërshtarët që janë më sipër në renditje, si Vllaznia dhe Partizani.
Megjithatë, për aq kohë sa matematika ua lejon, në kampin verilindor nuk kanë ndër mend të heqin dorë nga ky objektiv, por së pari duhet të marrin pikët maksimale në javët e mbetura. Në lojë janë edhe nëntë pikë dhe në letër janë të gjitha shanset që diçka e tillë të ndodhë, sepse përballë kanë kundërshtarë që nuk kanë më asnjë objektiv.
Fillimisht presin Dinamon dhe më pas Skënderbeun, dy skuadra që kanë rënë nga kategoria dhe po kalojnë gjithashtu një moment të dobët në kampionat. Në këto kushte, gjashtë pikë në këto dy ndeshje janë një detyrim. Në fund, verilindorët do të luajnë në transfertë më Tiranën, e cila është shpallur kampione dhe luan thjesht sa për të mbyllur kampionatin.
Me pak fjalë, nëntë pikët e fundit janë më se të arritshme dhe më pas të shohin se si do të dalin kundërshtarët e tjerë. Megjithatë, fillimisht duhet fituar ndeshja me dinamovitët, sepse në të kundërt të gjitha llogaritë rrëzohen poshtë dhe shanset për të shkuar në Europë thuajse zerohen.
RIVALËT
Por, edhe pse Kukësi ka një kalendar në favor për të siguruar nëntë pikë, këto në fund të edicionit mund të mos i shërbejnë dhe të mbesin jashtë Kupave të Europës për të dytin vit radhazi.
Verilindorët do të jenë gjithë “sy e veshë” nga ndeshjet e Partizanit dhe Vllaznisë, të cilave u mjaftojnë shtatë pikë në tri ndeshje për të mos u arritur më nga Kukësi. Mbetet për t’u parë nëse rivalët do të bëjnë hapa falsë, në të kundërt skuadra e Longos do të hidhte në erë sezonin. Dy vite jashtë Europës janë shumë dhe prekin jo pak financat e klubit.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit