Egnatia mban të gjallë ëndrrën titull duke siguruar një biletë për në finalen e madhe. Pas suksesit në Kupë, Egnatia vë në jetë një tjetër kryevepër duke synuar tani “dopietën” e famshme. Ekipi i Tetovës kalon Vllazninë në gjysmëfinalen e “final-four, falë renditjes më të mirë pasi 90 minutat përfunduan në barazim pa gola. Në finalen e madhe më 26 maj, Egnatia do të përballet me Partizanin. Në “Air Albania”, në një atmosferë pozitive, dy ekipet zhvilluan një sfidë spektakolare, me shumë raste për shënim. Egnatia-Vllaznia luajtën një futboll ofensivë që nga minuta e parë. Rasti më i mirë në fraksionin e parë erdhi në minutën e 18-të, me Zejnullain që dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur, por dy minuta më pas, gjyqtari i takimit pasi shqyrtoi aksionin me VAR anuloi gjithçka për faull në sulm, për prekje të topit me dorë.
Pas këtij momenti, Vllaznia mori kontrollin e lojës duke zhvilluar një presion asfiksues në zonën e Egnatias, por pa mundur të gjejnë prekjen fituese. Historia ndryshoi në fraksionin e dytë, me Egnatian që ishte më kërcënuese. Në minutën e 52-të portieri Qarri bëri mrekullinë duke devijuar goditjen e Zejnullait. Dhjetë minuta më pas, ishte Fernando që flirtoi me golin, por goditja e tij përfundoi mbi kuadrat. Pak minuta më pas, Egnatia gjen sërish rrugën e rrjetës me Ibrahimoglu, por goli goli nuk ishte i vlefshëm, i vlerësuar në pozicion jashtë loje. Vllaznia tentoi në mimutat e mbetura të shënonte golin e fitores, por Balaj dhe pjesa tjetër e ekipit shkodran ishin të pasaktë, duke bërë që në finalen e madhe të titullit të kalojë Egnatia falë renditjes më të mirë në sezonin e rregullt.
(J.S/)