KPA vendosi sot përjashtimin për 15 vite nga sistemi i drejtësisë të Alfred Ballës, kreut të KLP-së.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla e konsideroi të turpshëm vendimin, ndërsa shprehet se ai nuk kemi të bëjmë me shkarkim, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj tij.
Balla paralajmëron se çështjen ndaj tij do e apelojë në GjEDNj (Strasburg). Ai thekson se i vjen keq për avokaten, e cila kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së.
Reagimi i Alfred Ballës
Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.
Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat.
Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje.
Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj.
Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…