Real Madrid po pret me padurim talentin Endrick, i cili do jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm. 17-vjeccari, i cili vjen nga Palmeiras, ka dhënë një intervistë interesante për “AS”.
“Raporti im me Vinicius dhe me Rodrygon është mjaft i mirë. Janë të rinj dhe janë adaptuar mjaft mirë, si në qytet ashtu edhe në klub dhe për mënyrën se si të luajnë në futbollin spanjoll. Historia e tyre është një inspirim dhe jam i sigurt se do të më ndihmojnë”, deklaroi Endrick.
A flet rregullisht me Ancelottin apo me Perezin? Si i imagjinon ditët tua të para në Madrid?
Endrick: Kam qenë me ta në Madrid. Ma kanë transmetuar mjaft qetësi dhe besim. Më kanë thënë se do të vazhdojnë t’i shikojnë ndeshjet e mia në Palmeiras dhe se do të jem i mirëpritur në Madrid.”
A është objektiv i yti të bëhet kampion i Evropës me Real Madridin?
Endrick: Më shumë se dëshirë, e di se të jesh kampion i Evropës është e obligueshme nëse je në Madrid. Liga e Kampionëve është një garë në të cilën Real Madridi mendon gjithmonë dhe skuadra nuk duhet ta nisë sezonin me ndonjë objektiv tjetër nëse nuk është ai.
A e aspiron një ditë Topin e Artë?
Endrick: Topi i Artë është një vazhdimësi e sukseseve të arritura për shumë vite, por e di se nuk është gjëja kryesore për mua. Klubi është gjithmonë më i rëndësishëm për mua.
Përse e zgjodhe Real Madridin e jo Barcelonën apo PSG-në?
Endrick: Nuk ishte një zgjedhje, Real Madridi ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja. Nuk më është dashur të zgjidhja asgjë, thjesht e kam realizuar një ëndërr.
Kush është lojtari më i mirë i Real Madridit, ai që të ka befasuar më së shumti apo ai me të cilin do të doje të kaloje më shumë kohë?
Endrick: I kam takuar tashmë të gjithë. Në skuadrën më të fortë në botë, në çdo ndeshje secili mund të të befasojë, siç e kemi parë. Është e pamundur ta them se cili është më i miri në një klub si ky. Reali gjithmonë i ka tre apo katër lojtarë që do të mundë të zgjidheshin më të mirët e botës.
Si e përjeton një arritje eventuale të Mbappes? Mund të jetë një ‘kërcënim’?
Endrick: Është një grup fitues, asnjë lojtar nuk përbën ‘kërcënim’ apo rrezik për dikë tjetër. Klubi më i mirë në botë duhet ta kërkojë gjithmonë më të mirën në të gjitha rolet, gjithmonë. Të qëndrosh përkrah lojtarëve të mëdhenj dhe të garosh për një vend me ta më bën të përmirësohem, ta arrij nivelin më të lartë dhe të fitoj më shumë tituj, sepse titujt me klubin janë objektivi më i rëndësishëm
(J.S/)