Përfaqësuesja e Kosovës U17 ka përfunduar me sukses grumbullimin dyditor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Arbnor Morina, ka bërë të ditur se ky grumbullim është vazhdim i planit të paraparë, duke pasur si bazë grumbullimet e mëparshme nga muaji janar. E veçanta e këtij grumbullimi është se në të janë përfshirë edhe disa futbollistë, të cilët deri më tash kanë qenë pjesë e Kombëtares U15, por edhe një pjesë e futbollistëve tjerë të rinj.
Detaj tjetër i rëndësishëm për këtë grupmoshë sipas Morinës është monitorimi i ndeshjeve të Superligës U17 dhe të “Play-Off”-it Nacional, pra një numër i madh i futbollistëve të përfshirë.
Sot, në stërvitjen e fundit të këtij grumbullimi u zhvillua edhe një ndeshje, ku futbollistët u ndanë në dy ekipe, me ç’rast stafi i trajnerëve pati mundësinë të shohë dhe vlerësojë formën e secilit prej lojtarëve të ftuar.
Futbollistët e grumbulluar kanë shprehur kënaqësinë e tyre për ftesën e marrë nga përzgjedhësi Morina, duke shpresuar që në të ardhmen të japin kontributin e tyre në fanellën e Kosovës.