Populizmi nuk ndihmon as konsumatorin, as rregullimin financiar

Editorial Monitor

Skema e mbledhjes së borxheve të prapambetura nëpërmjet disa institucioneve financiare jobankare dhe shoqërive përmbarimore ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Histori që tregojnë se si disa individë me borxhe minimale ose joekzistente kanë humbur deri pasurinë e paluajtshme, normal që mund të prekin këdo.

Ndonëse skemat janë ende në proces hetimor dhe fjalën e fundit e ka gjykata, trajtimi mediatik dhe institucional, dhe sidomos seanca dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, sjell në vëmendje edhe një herë se sa i brishtë është ekuilibri i trekëndëshit mbrojtje konsumatore – shërbim / biznes financiar – rregullim e mbikëqyrje financiare dhe sesa e domosdoshme është që përditë të punohet për të mbajtur këtë ekuilibër e të mos rrezikohet marrja e vendimeve ekstreme e populiste që e vënë në dilemë atë në të ardhmen.

Kjo çështje ka shkaktuar me të drejtë ndjeshmëri të lartë të opinionit publik, megjithatë ekziston edhe një anë tjetër e medaljes, që nuk duhet harruar.

Në radhë të parë, është e rëndësishme që publiku të edukohet dhe ndërgjegjësohet mbi kulturën e huamarrjes së përgjegjshme dhe atë të domosdoshmërisë të shlyerjes së detyrimeve.

Çdo qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm se borxhet duhen paguar. Koncepti “edhe po nuk pagova, s’kanë çfarë të më bëjnë” është krejtësisht i gabuar dhe shpesh qëndron në themel të problemeve që vijnë më tej.

Kjo ndodh edhe sepse shumica e huamarrësve nuk kanë njohuri të mjaftueshme për instrumentet ligjore që ligji u jep kreditorëve për mbledhjen e detyrimeve.

Klienti duhet të lexojë kontratën dhe të kërkojë shpjegime. Nga ana tjetër, edhe rregullatorët kanë detyrim të bëjnë më shumë për edukimin. Duhet transparencë dhe shpjegimi i qartë dhe i thjeshtë i kontratave dhe produkteve.

Hallka tjetër që ka çaluar janë marrëdhëniet mes palëve të përfshira në këtë proces, që nga licencimi i institucioneve, vlerësimi i dëmit dhe ekzekutimi i tij, nëpërmjet procedurave që kanë ngjallur shumë debate.

Legjislacioni aktual, konkretisht Kodi i Procedurës Civile, në fakt ia lë këtë proces vlerësimit të përmbaruesit privat, duke krijuar ndoshta shtigje edhe për veprime të tepruara dhe abuzive, siç duket të ketë ndodhur në shumë raste.

Problemi mund të jetë pikërisht mungesa e përcaktimeve të qarta për hapat dhe procedurat që duhet të ndjekë përmbaruesi. Përderisa ligji nuk parashikon përcaktime të hollësishme për radhën apo vlerën e pasurisë që mund të sekuestrohet, mund të jetë e vështirë të provohet se përmbaruesit, në rastin konkret, kanë shkelur ligjin.

Kjo është arsyeja që Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë sugjerojnë nevojën për ndryshime ligjore që të përcaktojnë më qartë veprimet procedurale të përmbaruesit, në procesin e ekzekutimit të detyrueshëm.

Një element tjetër ligjor, që ndoshta mund të adresohet, është mungesa e eficiencës së Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Shpesh, konsumatorët e vegjël vuajnë nga mungesa e informacionit për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore dhe e kanë të vështirë të gjejnë derën e duhur ku të ankohen, ndërsa institucione të ndryshme i përcjellin me shpjegimin se nuk kanë kompetenca për t’i ndihmuar.

Bërja funksionale e entit për mbrojtjen e konsumatorëve mund të ndihmojë për një kanalizim dhe orientim më efikas të problemeve me të cilat mund të përballen konsumatorët e vegjël.

Nuk duhet harruar se sidoqoftë ligji, edhe në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm, i jep debitorit mjetet për të mbrojtur të drejtat e veta.

Debitori ka në çdo rast të drejtën për të kërkuar në gjykatë pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv apo të kundërshtojë veprimet përmbarimore, në rastet kur pretendon se detyrimi nuk ekziston, nuk është llogaritur në masën e duhur, apo është shlyer ndërkohë.

Pavarësisht ndjeshmërisë që mund të krijojnë raste të veçanta, është shumë e rëndësishme të mbahet gjithmonë parasysh që sistemi duhet të garantojë mbrojtje, si për debitorët, ashtu edhe për kreditorët.

Në rastin konkret, shumë qytetarë kanë rënë pre e veprimeve abuzive të kreditorëve dhe përmbaruesve të lidhur me ta.

Por, nuk duhet harruar se, nga praktika, në shumicën e rasteve janë debitorët që shkelin detyrimet kontraktore ndaj kreditorëve, duke u përpjekur të shmangin në çdo mënyrë shlyerjen e detyrimeve.

Ngjarje dhe rrethana të tilla nuk menaxhohen me veprime populiste, pasi rrezikohet të krijohen probleme të tjera të ardhshme, nëse cenohen modelet e biznesit apo produkte të tilla, që ekzistojnë prej vitesh në tregje ndërkombëtare.

Keqpërdorimi i hapësirave ligjore reduktohet me sistem monitorimi më efektiv dhe reagues më të shpejtë. Po ashtu, është i nevojshëm një sistem gjyqësor më efikas, që nuk është i shtrenjtë për konsumatorët e vegjël./ Monitor

Arena e Lajmit

Populizmi nuk ndihmon as konsumatorin, as rregullimin financiar

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook