Eda Brahimaj, përgjegjëse e sektorit të Sigurisë në inspektoriatin e Punës, i ftuar në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në Neës24, ku është diskutuar mbi aksidentet në punë, tha se inspektime në kantierin ku humbi jetën 28 vjeçari mëngjesin e sotmë, janë kryer disa herë nga Inspektoriati i Punës.
Brahimaj tha se ky është rasti i parë që ndodh në kantieret e këtij subjekti që një punëmarrës humbet jetën.
Ajo tha se në rastet e aksidenteve me pasojë vdekje janë të përfshirë edhe institucionet e tjera, si në rastet e Prokurorisë.
Brahimaj tha se për ngjarjen e ndodhur paraditen e sotme është shpejt për të folur, por në procedurat e zakonshme, kemi inspektime, më pas kemi raporte dhe penalitete, në varësi të shkeljeve që evidentohen.
“Në një inspektim, inspektori i punës këshillon si punëdhënësin ashtu edhe punëmarrësin, lidhur edhe me marrëdhëniet e punës, por edhe me sigurinë në punë. Nëse një punonjës nuk paguhet për punën që bën, apo punon jashtë orarit dhe nuk paguhet, të gjitha këto lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Roli i ndërgjegjësimit është shumë i madh. Sektori i ndërtimit paraqet një risk të lartë për sigurinë dhe shëndetin në punë. Duhej të krijonim dhe të kishim një ngritje mjaft të madhe për kulturën ndërgjegjësuese”, tha Brahimaj.
Ajo tha se një punëmarrës kur shikon se nuk punon në kushte të sigurta për veten e tij duhet të kontaktojë menjëherë Inspektoriatin e Punës, por fatkeqësisht punonjësit ankohen vetëm kur nuk marrin pagat, ndërsa shumë pak ankesa ka përsa i takon shëndetit dhe sigurisë në punë.
Brahimaj tha se Inspektoriati Shtetëror i Punës për rastet e aksidenteve në punë ka vendosur 148 sanksione, 179 masa urgjente për pezullim, prej të cilave 80 % janë në sektorin e ndërtimit.
Ajo tha se inspektimet kryen pa njoftime, por inspektorët janë të pajisur me lejet përkatëse nga kryeinspektorët rajonalë, sikundër nuk mungojnë kontrollet qoftë edhe gjatë orëve të natës, kur vemë re se mungojnë kushtet e sigurisë në punë.
“Çdo punëdhënës duhet të marrë masat maksimale përsa i takon sigurisë dhe shëndetit në punë. Mendoj se përveç inspektoriatit, duhet të keni parasysh se kemi një trupë prej 96 inspektorësh, që janë të pamjaftueshëm për të gjitha bizneset. Duhet një ndërgjegjësim i madh përsa i takon sigurisë dhe shëndetit në punë”, tha ajo.
Nga 9 maji deri në 27 maj kanë humbur jetën 5 qytetarë, tre prej të cilëve punëtorë ndërtimi, njëri në gurore dhe një tjetër në një prej galerive në minierën e Martaneshit.