Skënderbeu ka mbyllur një sezon të suksesshëm dhe tashmë të gjithë kanë nisur pushimet, për të menduar më pas për sezonin e ri, që do të jetë më i vështirë.
Korçarët vinin nga një kategori më poshtë dhe vendi i 3-të ishte maksimumi i mundshëm, madje ndoshta ata kanë kaluar pritshmëritë. Askush nuk e mendonte se ky ekip mund të shkonte kaq lart në renditje, por besimi te forca e grupit dhe aftësitë e lojtarëve çuan te ky vend, që për Elvis Prençin është mëse i merituar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Skënderbeut, një nga lojtarët me më shumë eksperiencë të këtij grupi, tregon se ekipi ka luajtur si i barabartë edhe me ata kundërshtarët që shkuan në “Final Four”.
“Kemi mbyllur një sezon të gjatë dhe të vështirë me një arritje që vlen të memorizohet. E nisëm si një ekip që shihej se do të luftonte për mbijetesë, por me kalimin e javëve treguam se nënvlerësimi ishte “arma” jonë sekrete. Treguam se jemi një ekip me cilësi, një grup i rëndësishëm që mundëm të tejkalonim çdo limit fillestar. Prandaj nuk donim të vendosnim objektiva në fillim të sezonit, për të mos pasur pikëndalesa. Vendi i tretë në kampionat për ne ishte një objektiv i përmbushur, por tani që e shohim me qetësi, edhe mund të kishim bërë më shumë. Kam parasysh ndeshjen me Partizanin, që ndoshta nuk e kemi interpretuar ashtu siç duhej. Mund të shkonim më lart se ky pozicion. Gjithsesi, është një mbyllje e suksesshme e këtij sezoni dhe të gjithë duhet ta shijojmë”, theksoi fillimisht Prençi.
E ARDHMJA – Për sezonin e ardhshëm, mbrojtësi i Skënderbeut nuk ka dashur të nxitohet. Prençi pohon se sezoni që vjen do të jetë më i vështirë dhe normalisht do të dojë më shumë impenjim, por ai beson se me një ekip që është rritur profesionalisht mund të synohet i njëjti objektiv.
“Sapo kemi mbyllur sezonin dhe është koha për të pushuar dhe për t’u qetësuar. Do të bëjmë shumë shpejt llogaritë dhe do të nisim përgatitjet për sezonin e ri, që do të jetë më impenjativ se ky që mbyllëm. Por, përtej të gjithave, kam besimin se Skënderbeu është më i pjekur për të qenë po në këto nivele edhe sezonin e ardhshëm”, përfundoi mbrojtësi i Skënderbeut.