Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, ministrja Pirdeni shpalos detaje nga kuadri i ri strategjik antikorrupsion

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni raportoi këtë të hënë në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian.

Ministrja Pirdeni theksoi gjatë fjalës se prej vitesh busulla e dy agjendave në avancimin e luftës ndaj korrupsionit dhe reformës në administratën publike ka qenë dhe mbetet dialogu i vendit tonë me Bashkimin Evropian.

Ministrja Pirdeni bëri me dije zotimet e ndërmarra deri në vitin 2030 përmes dy dokumenteve kyçe siç janë udhërrëfyesi për shtetin e së drejtës dhe udhërrëfyesi për reformën në administratën publike, të cilat janë dokumente të dakordësuara me të gjitha institucionet përkatëse të linjës, ku përfshihen këtu edhe shumë institucione të pavaruara, përtej institucioneve që i përkasin sferës së qeverisë.

Më tej Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin u shpreh gjatë fjalës së saj se po rishikohet kuadri strategjik antikorrupsion, me synim të qartë targetimin përmes masave specifike të sektorëve më të ndjeshëm ndaj korrupsionit, nga të drejtat pronësore e taksat dhe tatimet te prokurimi publik.

Ministrja Pirdeni evidentoi edhe reformën e pagave që nisi vitin e kaluar si një kërkesë që buronte nga i gjithë procesi i zhvillimit dhe rienergjizimit të administratës publike, por edhe në përgjigje të rekomandimit të Komisionit Europian për të rishikuar thelbësisht sistemin e  pagave për të garantuar jo vetëm një përgjigje meritokratike të gjithë punës së punonjësve të administratës që punojnë me ndershmëri, integritet dhe profesionalizëm por mbi të gjitha për t’i bërë drejtësi të gjitha fazave të ardhshme të procesit të negociatave, të cilat priten të intensifikohen.

Fjala e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionit në KKIE:

Faleminderit, zonja kryetare!

Të nderuar anëtarë të Këshillit, përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile, sektorit privat, akademisë dhe medias,

Të nderuar kolegë,

Dëshiroj ta nis sot fjalën hapëse në këtë raportim me një falënderim për Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian për vëmendjen që i dedikon në një platformë të kësaj rëndësie dhe niveli gjithëpërfshirjeje dy prej prioriteteve nga më madhoret e vendit tonë në trajektoren evropiane, konkretisht avancimit të luftës ndaj korrupsionit dhe reformës në administratën publike. Vëmendja e padiskutueshme e Qeverisë Shqiptare për thellimin e mëtejshëm të zotimeve tona në këto dy fusha u konsolidua fuqishëm me ngritjen në janar 2024 të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Prej vitesh busulla jonë në avancimin e këtyre dy agjendave ka qenë dhe mbetet dialogu ynë me Bashkimin Evropian. Përgjatë gjithë vitit 2023 dhe teksa flasim, mund të them se ky bashkëpunim ka njohur një thellim historik në drejtim të konstruktivitetit dhe rritjes së pronësisë së vendit tonë mbi arritjet në reformimin e administratës sonë publike dhe luftën kundër korrupsionit.

Kjo na sjell sot në këtë tryezë ku ndryshe nga më parë, adresojmë jo thjesht detyrat e shtëpisë të lëna si çdo vit në Raportin vjetor. Sot njëherësh pasqyrojmë edhe progresin e zotimeve të marra zyrtarisht përsipër dhe me shumë seriozitet nga autoritetet shqiptare në dy Udhërrëfyesët e miratuar në përgjigje të Raportit të Shqyrtimit Analitik për Grupkapitullin I “Themeloret”.

Më lejoni të ndaj shkurtimisht me ju disa nga arritjet kryesore të këtyre muajve.

Me qëllim sinergjizimin e politikave të zhvillimit të adminsitratës publike dhe paralelisht luftën kundër korrupsionit, është krijuar dhe pozicioni i dedikuar i Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke forcuar kështu forcuar drejtimi politik dhe mbështetja politike për Reformën në Administratën Publike dhe rritjen e fokusit në drejtim të luftës kundër korrupsionit në këtë fazë të zhvillimit të vendit. Kjo zgjidhje adreson kështu edhe një nga shqetësimet kryesore të Komisionit Evropian mbi nevojën për të qartësuar mandatin për drejtimin politik të Reformës në Administratën Publike, si dhe krijimin e një pozicioni të dedikur për fuqizimin e kapitalit njerëzor në adminsitratën publike dhe kthimin e adminsitratës publike në një punëdhënës tërheqës.

Përgjatë periudhës së raportimit evidentohen një sërë zhvillimesh të cilat meritojnë vëmendje dhe përmendje në drejtim të avancimit të agjendës së RAP.

·       Vendin primar në këtë listë e zë padyshim faza e parë e reformës së pagave e zbatuar përgjatë vitit 2023, e cila solli një rritje me 15%-46% për pagat e nëpunësve të niveleve të ndryshme të administratës, si dhe sektorin e shëndetësisë, ndërhyrjet e pjesshme në sistemin e pagave, rritje e shtessës për vjetërsi në punë për të shpërblyer përvojën në administratën publike. Ne ndjejmë që kjo ka rritur motivimin e punonjësve që tashmë shërbejnë në institucione, teksa dorëheqjet janë ulur me 15% në krahasim me vitin 2022, si dhe ka përmirësuar ndjeshëm pozitën e sektorit publik si një punëdhënës shpërblyes dhe konkurrues. Faza e dytë, e cila është në proces, do të përmbyllë procesin përcaktimit të komponentëve të pagës për nëpunësit civilë, do të adresohet rritja e pagave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, forcat e armatosura, policinë dhe sektorin e arsimit.

·       Po ashtu, në adresim të rekomandimeve të Komisionit Evropian, është përmirësuar zbatimi rigoroz dhe adeguat i legjislacionit lidhur me meritokracinë në rekrutim, promovim dhe shkarkim. Tregues kyçë për këtë janë ulja e numrit të ankimeve në gjykatë me 4.2% në raport me vitin 2022, si dhe rritje e rasteve të vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të institucionit në shifrën 77.8% nga totali i proceseve gjyqësore, përkundrejt 70.4% në vitin 2022;

·       Me po kaq rëndësi, vlejnë të përmenden masat e ndërmarra në zbatim të Udhërrëfyesit për Reformën në Administratën Publike miratuar në dhjetor të vitit 2023 lidhur me revolucionarizimin e mëtejshëm të ofrimit të shërbimeve, krahas kthimit të tyre online, në rritjen e fokusit të aksesit ndaj grupeve vulnerabël në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë. Paralelisht ka nisur një process intensiv i rinxhinierimit të shërbimeve publike, i cili shkon tashmë në drejtim të thjeshtëzimit të procedruave të brendshme administrative, për të mundësuar me hapa të shpejtë deburokratizimin e proceseve të ofrimit të shërbimeve si ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Në kuadër të kësaj reforme, fokusi ynë maksimal do t’i dedikohet në vijim:

·       Krahas finalizimit të kuadrit strategjik në këfë fushë,duke miratuar Strategjitë e rishikuara të Reformës në Administratën Publike dhe të Menaxhimit të Financave Publike, po punojmë njëherësh me rishikimin e dy ligjeve kyçe që rregullijnë si marrëdhëniet e punës në adminsitratën publike, ashtu edhe funksionimin dhe llogaridhënien midis institucioneve të adminsitratës, si dhe përshtatjen e legjislacionit me kërkesat e kohës. Me këtë proces synojmë të adresojmë, ndër të tjera, edhe një sërë problematikash të evidentuara në praktikë në marrëdhëniet e punës në institucione që nuk janë pjesë e shërbimit civil.

·       Me qëllim rritjen e profesionalizmit të nëpunësve publik të të gjitha niveleve, kemi nisur një reformë tërësore të ofertës trajnuese të ASPA, me qëllim që ky institucion të kthehet një qendër ekselence, e cila u ofron mundësi jo vetëm nëpunës të administratës, por edhe palëve të treat.

·       Jo më pak e rënëdishsme, kemi nisur një proces pilot të rishikimit të procesit të vlerësimit të performancës në tre ministri, proces i cili më pas do të ushqejë ndërhyrjet potenciale në drejtim të garantimit të meritokracisë, për t’i bërë drejtësic do zyrtari publik dhe kontributit të tij ose të saj në përditshmërinë e punës në administratë.

·       Prioritet mes prioritetesh në këtë listë është edhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve publike elektronike duke thjeshtuar dhe rishikuar proceset e biznesit për të siguruar një ofrim më të mirë të shërbimeve ndaj qytetarëve.

·       Element tjetër shumë i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe finalizimi i reformës së pagave, aktualisht në fazën e saj të dytë, e cila do të thellojë avantazhet dhe atraktivitetin e administratës publike si punëdhënës dhe si strehë e sigurt e talenteve të reja dhe eksperiencave jo dhe aq të reja.

Këto hapa janë veç disa prej proceseve madhore që do të shtrojnë rrugën për energjizimin dhe transformimin modern të institucioneve të administratës publike shqiptare, bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

 

Sa i takon luftës kundër korrupsionit:

·       Shqipëria është cilësuar nga OECD Sigma, si një ndër shtetet në vijën e parë për plotësimin e standardeve të qeverisjes elektronike si dhe nga Komisioni Evropian për reduktimin e korrupsionit dhe informalitetit përmes ofrimit të shërbimeve digjitale. Kalimi nga 14 shërbime online në 2013 fillimisht vetëm për 50 mijë përdorues, në 1227 shërbime tërësisht online në 2024 për 3,1 milion përdorues të regjistruar, nga vulat dhe firmat në letër në ato eletronike është dëshmi e pamohueshme e shkallës së penetrimit të digjitalizimit në ndërveprimin me qytetarët dhe bizneset, duke shmangur ndërveprimin fizik në sportel.

·     Kemi investuar në kapacitetet njerëzore dhe profesionale të Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion dhe Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion, në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të rolit të kësaj strukture në hetimin administrative të korrupsionit. Në këtë kuadër, përgjatë kësaj periudhe është garantuar funksionalitet i plotë i kësaj Drejtorie si një dritare ku qytetarët sinjalizojnë çdo dyshim për praktika korruptive në administratën qendrore dhe vendore. Drejtoria ka trajtuar mbi 1700 denoncime dhe kërkesa, të cilat janë konkluduar më pas me propozime për masa disiplinore, ndryshime ligjore si dhe 48 kallëzime penale.

·     Njëherësh, në adresim të një rekomandimi të përsëritur të Komisionit Evropian për të forcuar bashkëpunimin koordinues mes autoriteteve të përfshira në luftën kundër korrupsionit, Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion është në proces të nënshkrimit të disa Marrëveshjeve të Bashkëpunimit, së pari me Agjencinë e Prokurimeve Publike, për të shmangur abuzimet dhe ndëshkuar paligjshmëritë në procedurat e prokurimit përmes vlerësimit të riskut në këtë sektor, ADB dhe prokuroritë.

·        Po ashtu, kemi ndërmarrë rishikimin e kuadrit strategjik antikorrupsion, me synim të qartë targetimin përmes masave specifike të sektorëve më të ndjeshëm ndaj korrupsionit, nga të drejtat pronësore e taksat dhe tatimet te prokurimi publik.

·     Kemi përforcuar vazhdimisht mekanizmat e integritetit brenda autoriteteve publike në nivel qendror, me miratimin e Planeve të detajuara të Integritetit. Këto instrumenta gëzojnë potencial të konsiderueshëm për të ngritur mure mbrojtëse ndaj risqeve të korrupsionit në operacionet e përditshme si të vendimmarrjes politike, ashtu edhe punës teknike.

 

·     Në një tjetër proces me rëndësi primare, në muajt e fundit autoritetet shqiptare kanë bërë përparime të rëndësishme në adresimin e rekomandimeve të GRECO-s për Raundin V të Vlerësimit për parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe agjencitë ligjzbatuese. Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit ka koordinuar procesin e zbatimit të 19 nga 24 rekomandimet e mbetura. Përpjekjet për të rritur integritetin përmes ndjekjes me vigjilencë të rekomandimeve të GRECO-s adresojnë paralelisht edhe disa nga rekomandimet e rëndësishme të Komisionit.

Të nderuar anëtarë të KKIE,

Adresimi i sfidave në avancimin e luftës kundër korrupsionit dhe reformimin e administratës publike shqiptare mbetet një prioritet absolut për Qeverinë Shqiptare.

Qeveria Shqiptare është, para së gjithash, përgjegjëse për të hartuar dhe zbatuar me efektivitet masa sistemike që adresojnë problematika sistemike, të cilat shkojnë përtej adresimit të rasteve individuale dhe aksionit thjesht dhe vetëm reaktiv. Misioni i Qeverisë nuk është dhe s’mund të jetë vetëm që të evidentojë raste individuale shkelësish, por të shuajë vatrat dhe të mbyllë hapësirat ku korrupsioni mund të penetrojë.

Qeveria ka nisur një proces të pandalshëm të forcimit të pozicionin të saj qendror në luftën ndaj korrupsionit brenda vetë ekzekutivit, si shprehje e vetëdijësimit për nevojën për vetëpërmirësim. Ndaj jemi në luftën kundër korrupsionit jemi të angazhuar fuqimisht me bindjen se vetëm ndërhyrjet sistemike, me masa konkrete për modernizimin e çdo hallke qeverisëse dhe ndërhyrje të dedikuara në sektorët me risk ndaj korrupsionit do të tkurrin gradualisht çdo shteg të mbetur korrupsioni. Në përpjekjet tona për të përmbushur rekomandimet e Komisionit Evropian dhe për të zbatuar angazhimet tona në kuadër të dy Udhërrëfyesve, vizioni ynë do të targetojë në mënyrë të palëkundur disa prioritete kryesore.

Për avancimin e luftës kundër korrupsionit:

·     Do të finalizojmë kuadrin e ri strategjik antikorrupsion për vitet 2024-2030, do të mund të zbërthejmë edhe fokusin tonë në sektorët me risk të lartë korrupsioni përmes proceseve të mirëdetajuara, të cilat do të rrisin pronësinë institucionale dhe efektivitetin e luftës kundër korrupsionit në këta sektorë.

·     Një tjetër prioritet i rëndësishëm do të jetë finalizimi i riinxhinierimit të të gjitha shërbimeve publike, për të shtyrë edhe më tej procesin në perfeksion e sipër të ofrimit të shërbimeve digjitale që kanë në qendër qytetarin;

·     Paralelisht, synojmë të finalizojmë me sukses ristrukturimin dhe reformën rrënjësore të inspektimit publik, duke standardizuar proceset e inspektimit bazuar në risk dhe duke rritur profesionalizmin e inspektorëve për të shmangur hapësirat për abuzim;

·     Një tjetër prioritet që mund të konsiderohet më premtuesi në këtë agjendë është pikërisht investimi i fuqishëm për edukimin për integritetin dhe ligjshmërinë në brezat e rinj, i cili do të synojë fuqizimin e të rinjve dhe të shoqërisë në përgjithësi për të refuzuar korrupsionin si standard sjelljeje dhe për të përqafuar përditshmërinë me integritet.

Për të gjitha këto procese, ne do të vijojmë koordinimin intensiv institucional, si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtare dhe veçanërisht, Komisionin Evropian. Si përgjigje e rekomandimeve të Raporteve të Komisionit, onitorimi i dy Udhërrëfyesëve, atij për Shtetin e së Drejtës dhe atij për Reformën në Administratën Publike 2023-2030 mbetet ushtrimi ynë prioritar teksa mirëpresim hapat e radhës në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.

Jam e hapur për çdo pyetje dhe koment tuajin.

Arena e Lajmit

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, ministrja Pirdeni shpalos detaje nga kuadri i ri strategjik antikorrupsion

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook