35 kompani italiane, sipërmarrje shqiptare dhe 22 operatorë nga Kosova morën pjesë në workoshopin “Inxhinieria e qëndrueshme në 360 gradë” e zhvilluar në Tiranë nga Italian Trade Agency (ITA) në bashkëpunim me Shoqatën e Inxhinierisë, Arkitekturës dhe Konsulencës Teknike- Ekonomike në Itali (OICE) dhe ambasadës italiane në Shqipëri. Mbajtja e këtij forumi, mori shkas nga zhvillimi i dukshëm i viteve të fundit i arritur në sektorin e infrastrukturës dhe perspektivat e mëtejshme të rritjes që lidhen me programet e investimeve të qeverisë në funksion të anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE.
Ndër të tjera, nisma synoi forcimin e ndërsjellë të bashkëpunimit për ofrimin e eksperiencës të sipërmarrësve italianë ndaj atyre shqiptarë dhe nga Kosova për adoptimin standardeve europiane, në projektime inxhinierike me qëndrueshmëri ekologjike, si për veprat publike dhe investime private që po zhvillohen në Shqipëri.
Gjatë fjalës së saj, Francesca Mondello drejtoresha e Agjencisë Italiane të Tregtisë në Tiranë (ITA) ftoi sipërmarrësit italiane të investojnë në Shqipëri, pasi mundësitë janë të shumta jo vetëm në sektorin e infrastrukturës, por edhe në energjetik, turizmin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore.
Mondello vlerësoi si risi të forumit pjesëmarrjen e 22 kompanive nga Kosova.
Ajo u ndal te prezantimi i një sërë projektesh, që kanë shënuar progres në vend, për fushën e infrastrukturës dhe energjetikës.
“Shqipëria gjithashtu po investon shumë për ndërtimin e rrjetit rrugor nacional dhe për ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane që do të lidhet me 9 korridoret më të rëndësishme europiane. Së shpejti do të ndërtohet edhe rrjeti hekurudhor Tiranë-Durrës -Rinas, që do ta ndërlidhë Shqipërinë me rrjetin hekurudhor të Ballkanit. I rëndësishëm është edhe zhvillimi i infrastrukturës portuale. Shqipëria ka 4 porte, si: në Durrës, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, dhe veçanërisht po investon në projektin e marinës në Durrës dhe me portin në Porto Romano. Mundësi bashkëpunimi është edhe fusha e promovimit dhe rikuperimit të trashëgimisë kulturore, ku mund të ndiqet modeli që përfaqëson Italinë”.
Projektet e shumta infrastrukture që po zhvillohen ne Shqipëri, edhe nga zv/Presidentja e OICE, Francesca Federzoni, u vlerësuan se përbëjnë avantazh për forcimin e bashkëpunimit mes sipërmarrjeve, për implementimin e standardeve teknike të arkitekturës italiane.
“Qëllimi i këtij forumi është që vendet më të zhvilluara do të mund të ndihmojnë ato që janë më pas, parë në këndvështrimin e përmirësimit të gjerave të standardeve teknike. Hapi i dytë është përdorimi i standardeve europiane. Ndërsa bëjmë punën tonë, ndihmojnë vendin tuaj, për të ecur përpara dhe për të qenë sa më afër komunitetit europian”.
Ndërsa drejtori i Institutit të Ndërtimit Artan Shkreli vlerësoi si shumë të rëndësishme mbajtjen e kësaj konference, jo vetëm për shkëmbimin e eksperiencave mes kompanive shqiptare dhe atyre italiane, por edhe në shfrytëzimin e eksperiencave te implementimi i qëndrueshmërisë ambientale që me projektimin e projekteve.
“Fusha e bashkëpunimit është e gjerë, eksperienca italiane është e madhe. Duhet ta shfrytëzojmë këtë eksperiencë, për integrimin dhe adoptimin e protokolleve italiane në ligjet shqiptare”, nënvizoi Shkreli.
Në përfundim të workshopit u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes zv/presidentes së Shoqatës së Inxhinierisë, Arkitekturës dhe Konsulencës Teknike Ekonomike në Itali (OICE) znj. Francesca Federzoni dhe Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë, Faruk Kaba.
()