Një prej të arrestuarve për vrasjen në Dhërmi është edhe Daniel Qose, që së bashku me David Lartin akuzohen se kanë ndihmuar Gerald Shehun për të vrarë Eraldo Nevruzin. Qose së bashku me Lartin ishin punonjës në hotelin ku ndodhi krimi i rëndë.
Në lidhje me arrestimin e të birit, ka folur për gazetaren e Arena e Lajmit Lorena Kodra edhe nëna e Daniel Qoses, Kostaqe Qose. Kjo e fundit shprehet se sapo ka ndodhur ngjarja, kanë marrë në telefon djalin dhe ai nuk përgjigjej. Ajo shprehet se në orën 10:00 ka parë djalin në TV, ndërsa më pas iu është thënë se ai është arrestuar. Nëna shprehet se autori i vrasjes ka kërcënuar Danielin me armë, që të veprojë.
Kostaqe Qose: Dëgjova nga Tv në mëngjes që ishte bërë një vrasje, nuk e dija që kishte ndodhur në lokalin ku punon djali, i rashë telefonit nuk më përgjigjej, e shikoja në linjë i bija, por ma mbylli. Mora vajzën në Gjermani dhe e pyeta si e ka emrin lokali ku punon djali? Më duket se ‘G****’ më tha.
Marrim dhe pyesim një shok në Dhërmi, edhe ai më tha i bie dhe nuk më përgjigjet, por mos ki merak se do shkoj unë. Gjetëm numrin më pas, i thamë interesohemi për një djalë që është ai staf. Na thanë i kemi arrestuar, po i marrin në pyetje por nuk mund t’ju japim sqarim. Në orën 10 pashë në lajme figurën e djalit. Djali ka ikur që në 6 prill ka 5 vite që punon aty, tek i njëjti pronar dhe nuk ka pasur probleme më herët. Siç thonë edhe në lajme ai i ka kërcënuar dhe i kanë dhënë qese kuzhine dhe e kanë ndihmuar në makinë se i ka kërcënuar me armë. Është nisur burri me çupën andej se morën një avokat dhe nesër kanë gjyqin.
Danieli nuk e njihte se aq ditë ishte në punë, por ky pronari njihej me të që në Angli, kanë bërë sherre. Nuk kemi mundësi për ta ndjekur, djali mori rrugët për të punuar. Vetëm djali na punon edhe këtu në Korçë ka punuar banakier në lokale, ndërsa atje ka punuar banakier, e fuste pronari edhe te piceria.
Djali nuk ka pasur më herët shqetësime nga pronari, këtë vit nuk donim ta dërgonim kaq herët se fejonim çupën, por pronari i tha hajde se zihet vendi. Deri në shtator punonte aty.
(Arena e Lajmit)