Bylisi po studion tregun për afrimet dhe për të përforcuar skuadrën me elemente cilësore. Kështu, Bylisi ka arritur të rinovojë dhe të nënshkruajë kontrata afatgjata me dy talente brazilianë.
Bëhet fjalë për Fabricio Souza Freitas, i cili ka luajtur me skuadrën U-19 dhe U21, e po ashtu edhe mesfushori i talentuar 18-vjeçar, Guilherme Buraneli. Ky i fundit shihet si një premtim i madh në Ballsh dhe dallohet për fizikun e tij, por edhe teknikën e lartë. Buraneli ka qenë një nga pikat e forta të Bylisit U-19 dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në fitimin e dy trofeve, titullin dhe Kupën e Shqipërisë. Po ashtu, edhe me skuadrën e parë ka luajtur në disa takime. Klubi i sheh të dy brazilianët si elemente me vlerë dhe që mund të jenë në një të ardhme të afërt “shtylla” në skuadrën e parë të mallakastriotëve.
Në vijim pritet që të dy lojtarët të kenë minuta dhe të aktivizohen edhe në Superiore. Ndërkohë, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me lojtarët e tjerë brazilianë, që do të jenë mes prioriteteve të klubit, siç është sulmuesi 19-vjeçar Stenli Kirsten, i cili u dëmtua në fillimin e sezonit. Nga sa bëhet e ditur, ballshiotët do të synojnë që edhe në sezonin e ardhshëm të kenë ekipe U-19 dhe U-21 konkurruese. Gjithashtu, ekipi U-17 do të synojë që të ngjitet në Superiore, ashtu sikurse edhe për skuadrën e parë është menduar që fillimi i korrikut ta gjejë “top”. Madje, së shpejti pritet që të bëhen edhe zyrtarizimet e para, me afrime cilësore, por edhe lojtarë që kanë spikatur në Kategorinë e Parë dhe që janë me perspektivë, të cilët e shohin Bylisin si “trampolinë” për karrierën e tyre.