Jo vetëm janë dy skuadrat pretendente sipas “bookmakers”, për të fituar trofeun, mbrëmjen e 14 Korrikut në Berlin, por Anglia dhe Franca mbajnë kryesimin edhe sa i takon vlerës së lojtarëve që ata kanë.
Skuadra e Sauthgejtit mendohet të arrijë vlerën e 1.29 miliardë paundëve në një klasifikim të “The Sun”. Dhe kjo shifër mund të ishte edhe më e lartë nëse trajneri i Anglisë nuk do të kishte lënë jashtë lojtarë si Markus Rashford dhe Xhek Grilish.
Vlera e skuadrës së tyre shkon në 250 milionë £ më shumë se vendi tjetër në listë, finalistët e Kupës së Botës, Franca (1.04 miliardë £). Pas tyre vijnë Portugalia (890 milionë £) dhe Spanja (820 milionë £), ndërsa Gjermania organizatore (722 milionë £) mbyll pesëshen e parë.
Ylli më i çmuar i Spanjës është ai i Mançester Sitit, Rodri, vetëm kartoni i të cilit konsiderohet të jetë me vlerë mbi 100 milionë paund. Për Gjermaninë mikpritëse, janë dy 21-vjeçarë ata që konsiderohen si pasuria e tyre më e çmuar. Florian Virtz, i cili sapo ndihmoi Bajer Leverkusenin të fitonte Bundesligën, dhe Xhamal Musiala i Bajernit të Mynihut, të dy vlejnë më shumë se 100 milionë paund. Holanda (717 milionë £) dhe Italia (599 milionë £) plotësojnë një listë me shtatë skuadra talenti i të cilave kalon 500 milionë paundët. Pjesa tjetër e dhjetëshes së parë përbëhet nga Belgjika (496 milionë £), kundërshtarët e Anglisë në grup, Danimarka (367 milionë £) dhe Ukraina (322 milionë £). Anglia e nis fushatën e saj në “Euro 2024” kur të përballet me Serbinë të dielën, më 16 qershor. Serbët, të cilët kanë sulmuesin vdekjeprurës Aleksandr Mitroviç në krye të listës së tyre, konsiderohen si skuadra e 14-të më e vlefshme në kompeticion.