Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Vlorës pasditen e kësaj të premteje. Në lagjen “10 Korriku”, sipas bluve të Vlorës, në konflikt janë përfshirë dy persona tashmë të identifikuar nga policia lokale. Nga dyshimet paraprake, Juxhin Todi alias Aliaj, i shoqëruar nga e dashura e tij, ka dalë nga banesa teksa në hyrje të pallatit një person i identifikuar tashmë si Lisjan Myrtaj ( efektiv i forcave DELTA) ka shtënë në drejtim të të rinjve.
Por një version tjetër ka dhënë efektivi Lisian Myrtaj, i cili akuzon 24-vjeçarin Todi se e ka ndjekur dhe ka qëlluar me armë. Ai ka deklaruar se ka reaguar për vetëmbrojtje. Sipas informacioneve të policisë, mjeti ka shenja plumbash në pjesën e pasme dhe një tjetër në xhamin e parë, në anën e pasagjerit.
Policia po heton pistat e një konflikti personal mes autorit dhe shënjestër. Autori sipas policisë, Lisjan Myrtaj, efektiv i forcave Delta ka pasur një debat me 24-vjeçarin Todi. Sipas dëshmitarëve ka pasur replika mes autorit dhe objektivit, debate dhe fyerje, para se të nxirreshin armët. Policia po kryen hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Dëshmia e efektivit
Efektivi i Policisë Lisjan Myrtaj, i cili është dorëzuar vet përpara kolegëve të tij ka dhënë një version tjetër nga çfarë është folur deri tani. Ai është shprehur se ka patur më parë një debat me Juxhin Todi (Aliaj).
Efektivi i Policisë është shprehur se është ndjekur me makinë nga Juxhini dhe sapo ka ndalur pranë banesës së te efektivit, i ka drejtuar armën duke e ofenduar dhe e ka shkrepur dy herë. Sipas tij kjo ka bërë që ai të reagojë për vetëmbrojtje duke goditur në drejtim të makinës. Ai ka telefonuar sallën operative dhe ka pritur që të mbërrinin kolegët e tij duke mos lëvizur nga vendngjarja.
Myrtaj i ka deklaruar kolegëve se ka goditur për vetëmbrojtje dhe se është ndjekur deri jashtë derës së shtëpisë së tij. Aliaj i cili është në fuoristradën ‘ML’ është arratisur menjëherë dhe nuk është kapur ende nga ana e policisë ndërsa sipas efektivit të Deltës kur i ka shkuar Juxhini në shtëpi ai ka qenë i vetëm. Motiv i debatit sipas burimeve ka qenë akuza e Juxhinit se efektivi i policisë i kishte parë të dashurën më parë.