Komisioni “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, i njohur ndryshe si Komisioni i posaçëm anti-Korrupsion, pritet të zhvillojë të premten mbledhjen e tij të parë, atë të konstituimit.
Komisioni do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj, një prej ligjvënësve më të vjetër socialistë, i cili gjithashtu drejtoi edhe komisionin për reformën në drejtësi 8 vite më parë.
Komisioni, i miratuar në Kuvend me votat e socialistëve, do të ketë një mandat 10 mujor, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por ai do të riaktivizohet me konstituimin e Parlamentit të ri.
Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse; Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare.
Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë – pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga kryetarë dhe zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; për Ekonominë dhe Financat për Çështjet Evropiane; për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian”.
Anëtarë të Komisionit që do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj, nga rradhët e socialistëve janë zgjedhur: Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi, Toni Gogu.
Ndërsa nga radhët e PD anëtarët janë: Jorida Tabaku, Dhurata Tyli, Sorina Kote, Flutura Açka dhe një anëtar i 5-të që nuk është vendosur emri.
Milva Ekonomi dhe Erion Braçe do jenë anëtare zëvendësues nga PS ndërsa nga PD nuk janë caktuar.
Opozita ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e këtij komisioni, megjithëse ene nuk ka një vendim të përfundimtar për bojkotimin e tij. Gjithsesi në mbledhjen e parë, atë të konstituimit, pritet që deputetët e PD-së të mos jenë të pranishëm, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, pritet të zyrtarizojë edhe nisjen e punës, së këtij komisioni.
Në deklaratat publike, Flamur Noka, me cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, ka deklaruar se nuk do të jenë pjesë e një komisioni, i cili është pagëzuar me emrin “mirëqeverisje” kur Qeveria e Ramës ka shkaktuar vetëm keqqeverisje për shqiptarët.