Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një takim koordinues me donatorët, u shpreh se duhet rritur shpejtësia e reagimit ndaj krimit të organizuar për ta shfarosur atë.
Balla nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, duke veçuar Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, në luftën kundër krimit.
Ai shtoi se sfidat që dalin sot para autoriteteve kërkojnë bashkëpunim dhe angazhim të organizuar.
Ministri i Brendshëm shtoi se vëmendje duhet ti kushtohet edhe bashkëpunimi edhe me gjyqësorin, pa harruar investimet në inteligjencë dhe zhvillimet në teknologji.
“Jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta arrijmë objektivin pa angazhimin e partnerëve me të cilët duam të përshpejtojmë realizimin e reformave. Vlerësojmë mbështetjen që na kanë ofruar duke mundësuar arritje e rezultateve. Bashkëpunim shumëplanësh me BE, agjencitë ligjzbatuese të SHBA dhe Britanisë, për të luftuar krimin e organizuar pa harruar edhe ekstremizmin e dhunshëm, menaxhimin e kufijve dhe rendin publik.
Kërcënimet e reja në këto fusha kërkojnë struktura më të mira organizative. Kërkohet rritje bashkëpunimi edhe me gjyqësorin, pa harruar investimet në inteligjencë dhe zhvillimet në teknologji.
Jam takuar me ministrin e brendshëm të Gjermanisë dhe ministrin për policinë të Zvicrës me të cilin ndamë mendimin se krimi i organizuar nuk ka nevojë për burokraci e dokumente, lëviz shumë më shpejt, dhe nëse duam të jemi efektivë duhet të rrisim shpejtësinë e kundërveprimit tonë për ta shfarosur. Sot përballemi me sfida që duan angazhim të organizuar”, tha ai.
()