Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një takim koordinues me donatorët, tha se duhet të goditen asetet ekonomike të krimit, pasi kjo do të dobësonte organizatat kriminale.
Balla theksoi se Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetje të gjithanshme. Sipas tij, në fokus të punës së policisë mbetet dhe beteja ndaj krimit ekonomik, si dhe lufta ndaj emigracionit të paligjshëm.
Taulant Balla: Reformat tona kërkojnë pajisje sa më të sofistikuara, që të përmbushim operacionet tona, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Duhet të rrisim veprimin ndaj krimit. Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetje shumëplanëshe. Akademia e Sigurisë kërkon mbështetje të veçantë. Akademia e Sigurisë garanton një forcë policore të standardeve më të mira europiane. Duhet të mbështesim edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, që të realizojnë objektivat e tyre më së miri.
Nuk ka asgjë më të dhimbshme për krimin sesa ta godasësh atë në asetet ekonomike, që janë fituar nga rrugët kriminale. Duhet të ndjekim parimin “ndiq paranë”. Dua të jem falënderues për Europol dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare. Duhet të luftojmë fort edhe krimin kibernetik. Ajo që dua të theksoj është edhe puna jonë në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm. Kemi arritur rezultate të mira në luftën ndaj emigrimit të paligjshëm.
(Arena e Lajmit)