Gjykata e Sarandës ka dënuar me 6 vjet heqje lirie 46 vjecarin nga Tirana, Erion Berberi.
Vendimi është dhënë 4 ditë më parë nga Gjyqtari Mikel Hysometaj pas një procesi të nisur në 20 nëntor të një viti më parë.
Berberi akuzohet nga Prokuroria e Sarandës për veprën penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” kryer në bashkëpunim sipas neneve 144/a e 25 të Kodit Penal. 46 vjecari rezulton person me precedentë penalë, pasi ka qenë i arrestuar edhe në 2015 në Korçë bashkë me disa persona të tjerë, të akuzuar po për mashtrim me TVSH.
Pavarësisht dënimit me 6 vjet heqje lirie, do të pritet vendimi i Apelit që do të vendosë nëse Berberi do të shkojë në qeli.
Gjyqtari Hysometaj ka kërkuar që dënimin 46 vjecari ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Cështja e gjykuar në Sarandë i përket procedimit penal nr.39 të vitit 2018 ndaj shtetasve Regan Merdani, Enis Xhaferi, Vjollca Ymeraj, Kreshnik Ymeraj, Fatmir Murati, Dashamir Ymeraj e Erion Berberi.
Cështja ndaj këtij të fundit u gjykua e ndarë, ndërkohë që procesi vazhdon për të tjerët.
Kjo cështje më parë rezulton të jetë ndjekur nga Prokurori Ilir Hoxha e më pas nga Besjana Sadikaj.
Ajo që bie në sy, është përfshirja edhe e Regan Merdanit, 33 vjecari nga Fieri i dënuar nga SPAK për inceneratorin e Fierit.
Merdani është marrë nën akuzë në cilësinë e administratorit të shoqërisë “SG Logistic” sh.p.k.